Manastri i Deçanit, Azemi: Ky s’është mashtrimi i parë e as i fundit i Kurtit
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar pasi qeveria Kurti ka urdhëruar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastrit të Deçanit.
Ai ka thënë se edhe një kauzë e rrejshme e Kurti ka rënë.
“Ai e ka ditur se vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm për zbatim, por me plot vetëdije mashtronte qytetarët për të ardhur në pushtet, e për të vepruar krejt ndryshe prej asaj çka propagandonte si opozitar” – ka shkruar Azemi në “Facebook” .
Postimi i plotë:
Edhe një kauzë e rrejshme e Albin Kurtit ra. Sot ai tregoi në mbledhjen e Qeverisë se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale t’ia regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit.
Ai e ka ditur se vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm për zbatim, por me plot vetëdije mashtronte qytetarët për të ardhur në pushtet, e për të vepruar krejt ndryshe prej asaj çka propagandonte si opozitar.
S’është fare i befasishëm as ky veprim i tij. Sepse ky s’është mashtrimi i tij i parë e as i fundit. Tre vite veproi kështu duke përmbysur çdo gjë që ka thënë 16 vite para tyre. Fatkeqësia është se veprimet e tij kanë sjellë e po sjellin shumë dëme. Qeverisja e tij po do të rezultojë më e dobëta dhe më e rrezikshmja në gjithë pasluftën.