Mançini: Hazardin dhe De Bruyne i dua në fushë

02 korrik 2021 | 11:52

Belgjika në çerekfinalet e “Euro 2020”, sipas Roberto Mançinit, është “skuadra më e mirë në botë së bashku me Francën”.

Testi për trajnerin e Italisë është nga ata jo të lehtët, por i ka idetë të qarta dhe i ka shprehur në konferencën e djeshme për shtyp: “Nuk ekzistojnë ndeshje të lehta, do të bëjmë ndeshjen tonë”. Mund të jetë në fushë edhe kapiteni Chiellini: “Të shohim pas stërvitjeve të fundit, por jemi të gjithë gati për këtë sfidë. Adrenalina është e lartë”.

DYSHIMET PËR FORMACIONIN – “Kam pak dyshime. Duhet të bëjmë zgjedhje, por jam në një rrugë të përcaktuar mirë. Të presim nesër (sot) për të parë kushtet fizike të të gjithëve”.

DE BRYUNE-HAZARD – “Taktikë? Më duket e drejtë… Po përgatisin një ndeshje të rëndësishme me ne. Këto ndeshje janë shumë të bukura sepse luajnë lojtarë të mëdhenj, janë më të mirët në klasifikimin e FIFA-s prej tri vitesh. Ne luajmë mirë. Për spektatorin është bukur të shikojë të gjitha skuadrat të kompletuara, kjo është e bukura e futbollit”.

KRAHASIM ME AUSTRINË – “E njihnim Austrinë, e kishim parë edhe më përpara. I dinim vështirësitë që krijon, për nga mentaliteti, për nga forca, sepse ishte e para me eliminim direkt, kështu që ishim përgatitur që do të luanim ndeshjen më të vështirë”.

VUAJTJE – “Çdo ndeshje mund të të bëjë më të fortë nëse arrin të nxjerrësh më të mirën dhe gjërat ku je përmirësuar. Vuajtëm, por realizuam 26 goditje në portë. Kanë qenë momente të vështira, por në fund fituam me meritë. Nuk ekzistojnë ndeshje të lehta, siç thashë: Evropiani këtë na mëson, skuadra shumë të forta kanë vuajtur”.

BELGJIKA – “Janë në krye të renditjes së FIFA-s me meritë, por do të përpiqemi ta fitojmë. Kam respekt të madh për Belgjikën, por duhet të luajmë lojën tonë dhe të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Zvicra mposhti Francën, Holanda u eliminua me Republikën Çeke, tani nuk ka ndeshje të lehta. Me Martinezin jemi takuar shumë herë të tjera dhe tani Belgjika së bashku me Francën ndoshta është skuadra më e mirë në botë. Klasifikimi u referohet katër viteve të fundit, nuk mendoj se ka gabime, e rëndësishme është të fitojmë. E dimë me cilët do të përballemi, nuk ndodhen atje rastësisht. Jemi në pjesën më të vështirë të tabelës, do të nisim një rrugëtim të vështirë nga nesër (sot), por jemi të vetëdijshëm për cilësitë tona. Do të luajmë ndeshjen tonë, ndoshta duke e sistemuar gjatë 90 minutave. Kemi një tip loje të caktuar, e ka edhe Belgjika, prisni një sfidë të rëndësishme. Jemi të lumtur me ato që kemi arritur deri sot”.

SHPIRTI I EVROPIANIT – “Argëtimi është në bazë të të gjitha punëve, është akoma më i bukur. Nëse kujtohemi të shënojmë një gol më shumë se kundërshtari, akoma më mirë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luis Enrique është i bindur se asnjë kombëtare nuk ka…