Mançini lë hapur rikthimin tek Italia: Një ditë mund ta fitojmë Botërorin së bashku
“Po sikur të më mungojë kombëtarja? Është e qartë se ishte pozicioni im ideal. Të stërvitja kombëtaren italiane ishte një nder dhe privilegj i madh për mua. Gjërat nuk shkojnë gjithmonë ashtu siç pret, por sot angazhimi im absolut është me kombëtaren saudite. Ku i dihet, një ditë mund ta fitojmë edhe Botërorin së bashku…”. Ish-trajneri i kombëtares axurre, Roberto Mançini nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen ta gjejë sërish kombëtaren në rrugën e tij. “Nëse kam vuajtur këtë verë gjatë Kampionatit Evropian duke mos e parë më veten në atë stol? A mund të mos përgjigjem”, ka deklaruar Mançini në një intervistë për “Il Giornale”.
“Statistikisht është e pamundur ta fitosh Kampionatin Evropian dy herë radhazi. Është e qartë se ne u gjendëm përballë një kombëtareje plot me djem pak më të rinj, me të cilët megjithatë kishim shkuar në fazën finale të Ligës së Kombeve, duke mundur Gjermaninë dhe Anglinë. Kësisoj, do të duhet pak më shumë kohë, edhe pse mendoj, ndryshe nga sa kam lexuar, se lojtarët në fushë janë teknikisht të mirë”, ka shtuar Mançini.
Mbi dështimin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës: “Më rëndon shumë, sepse mund të kishim lënë përshtypje vërtet të mira”.