Mançini: Ndaj Gjermanisë pres një Itali spektakolare
Italia e Roberto Mançinit mori një barazim në ndeshjen e tretë të Ligës A të grupit 3 të Ligës së Kombeve kundër Anglisë. “Azzurrët” mbajnë kreun e grupit.
Për mikrofonat e “Rai”-t, trajneri i kampionëve të Evropës komentoi për ndeshjen e djemve të tij. “Ne kishim ndoshta më shumë mundësi të mira se ata, por bëmë pak. Ata bënë një ndeshje të mirë. Nuk ishte e lehtë”.
Në fillim Gjermania, më pas Hungaria dhe në fund Anglia. Italia vazhdon të gjejë konfirmim përmes gjuhës së përbashkët të lojës, por trajneri sheh hapësirë të madhe për përmirësim.
“Duhet të përmirësohemi shumë sidomos kur sulmojmë, duhet të shënojmë gola. Në pjesën e parë patëm tri raste që nuk duhej t’i humbnim. Ndonjëherë kemi bërë gabime kur dilnim, ishim pak të përafërt, por është pjesë e rrugës së rritjes së djemve. Ne nuk mendonim se po bënim aq mirë sa kemi bërë. Kjo ndeshje nuk ishte e lehtë. Duhet të punojmë për të provuar të shënojmë. Është e qartë nëse Fratesi do të shënonte pas pesë minutash, është një lojë krejtësisht tjetër. Por është e rëndësishme që ai të jetë aty, herën tjetër do ta bëjë”, ka deklaruar Mançini, i cili ka dhënë edhe një koment lidhur me rastet e shumta që Italia po i shpërdoron: “Kemi problem në shënimin, sidomos në gjashtë muajt e fundit. Kemi ngadalësuar dhe kjo nuk është mirë. Duhet të përmirësojmë shumë gjëra, rruga do të jetë ende e gjatë dhe plot gracka. Ndeshja e radhës do të jetë kundër gjermanëve. Pres të njëjtin impenjim. Do të ketë pak ndryshime. Do të jetë një ndeshje spektakolare”.