Mandati i Gjykatës Speciale zgjat deri në njoftimin e Këshillit të BE-së
Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara mbi vazhdimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Në komunikatën e Dhomave të Specializuara thuhet se “mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”.
Më 25 gusht, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
“Duke qenë se amendamentet kushtetuese të propozuara sugjerojnë fshirjen nga neni 162(13) dhe (14) i Kushtetutës, të referencës ndaj Shkëmbimit të Letrave të vitit 2014, Dhoma thekson se referenca në fjalë saktëson se mandati i Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së vazhdon deri në përfundimin e proceseve gjyqësore përkatëse. Rrjedhimisht, fshirja e kësaj reference do të pakësonte të drejtat dhe liritë themelore të personave të përfshirë në procese gjyqësore”, thuhet në aktgjykim.