Mandl në Kuvendin e LDK-së: Kosovës i duhen reforma në politikën e brendshme
Në Kuvendin e dhjetë Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) sot ka marrë pjesë edhe eurodeputeti Lukas Mandl.
Ai me këtë rast ka përshëndetur mbajtjen e kuvendit zgjedhor të partisë së dytë më të madhe opozitare në vend.
“Jam krenar që jam pjesë e kësaj familjeje politike. Dhe sinqerisht, është nderi dhe kënaqësia ime më e thellë që të flas në kuvendin e shtëpisë politike të themeluesit të shtetit më të ri të Evropës, Republikës së Kosovës, të flas në Kuvendin e partisë së Ibrahim Rugovës. Ky është një nder, është një kënaqësi, është historike për mua në jetën time dhe kjo është kuptimplotë përtej fjalëve. Duke qenë se nuk kam vepruar asnjëherë politikisht brenda Kosovës, e njoh familjen time politike, familjen e Partisë Popullore Evropiane, dhe duke vizituar LDK-në sot, duke e vëzhguar LDK-në për shumë vite, më shumë se kurrë e kam rikonfirmuar se kjo është familja e duhur politike për mua dhe kjo është padyshim familja e duhur politike për ju”, tha Mandl.
Ai theksoi se LDK po punon me përkushtim në të mirën e qytetarëve të Kosovës, teksa shtoi se Kosova ka nevojë për reforma në politikën e brendshëm dhe në sektorët me rëndësi, sikurse janë arsimi e shëndetësia.
“Ajo që i duhen Kosovës janë reforma në politikën e brendshme, shëndetësi, arsim, mirëqenie sociale, kaq shumë gjëra. Dhe nëse ka diçka që Lumir Abdixhiku dhe ekipi i tij kanë dëshmuar gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, për të cilat Lumiri sapo ka folur, kjo është se kjo udhëheqje është e aftë të ndërmarrë reforma. E keni treguar me LDK-në, do ta tregoni me Republikën e Kosovës dhe unë e pres këtë me padurim. Ndërsa vëzhgoj situatën e Kosovës, kam një ëndërr personale. Ëndrra ime personale është që Lumir Abdixhiku dhe ekipi i tij të jenë në krye të këtij vendi për shumë dekada, sepse kjo është perspektiva”, u shpreh Mandl.