Mane do të gjobitet me 500 mijë euro
Sadio Mane do të gjobitet me 500 mijë euro nga Bayern Munichu për goditjen me grusht ndaj shokut të skuadrës, Leroy Sane pas humbjes nga Manchester City.
Gjiganti bavarez e shikoi me vëmendje këtë rast dhe në fund doli me përfundimin se sulmuesi afrikan e meritonte një gjobë të tillë të rëndë pas veprimit aspak sportiv dhe aspak njerëzor, raporton “Goal.com”.
Dyshja u fjalos gjatë lojës së zhvilluar në “Etihad Stadium” të martën mbrëma, ndërsa situata eskaloi në dhomën e zhveshjes, ku pati sulm fizik të ish-futbollistit të Liverpoolit ndaj ish-lojtarit të Manchester Cityt.
Me këtë rast, mediumi gjerman “TZ” raporton se sulmuesi senegalez është i mërzitur nga vdekja e tezes së tij, ndërsa thuhet se Sane e ka fyere edhe në baza racore para se ai ta godiste. Ai nuk ka shpërthyer siç pritej në “Allianz Arena” dhe të gjithë po e presin Manen e vërtetë.