Mane: Ky është sezoni më i keq i karrierës time

11 maj 2021 | 14:36

Liverpooli i këtij sezoni është kopja e shëmtuar e skuadrës që jemi mësuar të shohim në vitet e fundit. Mungesat kanë pasur ndikimin e vet negativ, por djemtë e Jurgen Klopp kanë bërë gabime të shumta. “The Reds” renditen përkohësisht në vend të gjashtë në Premier Ligë dhe rrezikojnë seriozisht të mbeten pa Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Sulmuesi senegalez i ekipit, Sadio Mane ka bërë autokritikë. Në prononcimin e dhënë për Canal +, 29-vjeçari afrikan, i cili këtë sezon numëron 9 gola dhe 6 asistime në kampionat, e pranon se ky ka qenë sezoni më i dobët i karrierës së tij.

“Ky është sezoni më i keq i karrierës time, më duhet ta pranoj. Nëse do të më pyesni në lidhje me problemin, unë do të bëja të pamundurën për t’u përgjigjur, por, sinqerisht që nuk ia kam idenë fare. Gjithmonë kam tentuar të jem pozitiv, pavarësisht nëse gjërat në fushë ecin mirë apo jo. Unë jam dyshues dhe skeptik rreth performancave të mia. Kam bërë edhe një test në lidhje me fizikun tim”, ka thënë Mane.

“Po ushqehem siç duhet apo gjithçka ka ndryshuar? Kjo është pyetja që i kam bërë vetes. Rezultati i testit tregoi se gjithçka ishte në rregull, trupi nuk ka asnjë problem. Duhet të kuptoj që jeta ka ulje dhe ngritje, ndërsa unë do të vazhdoj të punoj fort. Ndoshta, me kalimin e kohës do të kalojë edhe kjo situatë e vështirë”, ka deklaruar Mane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja  e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci,…