Mania e njerëzve për mumiet
Pushtimi i Egjiptit nga Napoleoni për evropianët hapi portat e historisë së Egjiptit. Në atë kohë, mumieve nuk iu jepej respekti që meritonin dhe, në fakt, mund të bliheshin nga shitësit ambulantë (siç tregohet në foton më poshtë) për t’u përdorur si ngjarje kryesore për festat dhe tubimet shoqërore që zhvilloheshin në shekullin XVIII.
Elitat e kohës shpeshherë mbanin “Gostitë e çmbështjelljes së mumieve” të cilat, siç sugjeron edhe emri, temë kryesore kishin mumien që do të hapej para një publiku të zhurmshëm, duke brohoritur dhe duartrokitur në të njëjtën kohë.
Sado e çuditshme të tingëllojë kjo, ishte kirurgu anglez Thomas Pettigrew ai që mund të cilësohet si pionier i kësaj forme të çuditshme argëtimi. Pettigrew ishte shkencëtar i shquar që kishte vaksinuar mbretëreshën Viktoria; ishte antikuar i njohur dhe autor i disa nga librave më mirë të kohës për mumiet dhe mjekësinë e lashtë. Por, gjithmonë do të mbahet mend si djaloshi që i bëri të njohura festat çmbështjelljes së mumieve, paçka që këtë e bëri para një grupi mjekësh më 1821 (disi e justifikuar shkencërisht). Por, nga vitet 1830, ky veprim u shndërrua në festë.
Festat e çmbështjelljes përfunduan me fillimin e shekullit XX. Me zbulimin e rrezeve X u bë e mundur që historianët dhe shkencëtarët të shikonin më nga afër mumiet, pa i prekur mbështjelljet.
Dikur, mbetjet e ruajtura të egjiptianëve të lashtë bluheshin në pluhur dhe konsumoheshin si ilaç mjekësor. Në të vërtetë, mumia e bërë pluhur ishte kaq e popullarizuar saqë nxiti edhe një tregti të falsifikuar për të përmbushur kërkesën, në të cilën p. sh. mishi i lypsarëve të vdekur shitej si mish i egjiptianëve të lashtë të mumifikuar.
Me përparimin e Revolucionit Industrial, mumiet egjiptiane u shfrytëzuan për qëllime të tjera: një numër i madh mumiesh njerëzore dhe kafshësh u mblodhën dhe u dërguan në Britani dhe Gjermani për t’u përdorur si plehra. Të tjerat u përdorën për të krijuar pigmentet e së kafenjtës së mumieve ose u hoqën mbështjelljet e tyre e më pas u eksportuan në ShBA për t’u përdorur në industrinë e prodhimit të letrës. Autori Mark Twain madje raportoi se në Egjipt mumiet u dogjën si lëndë djegëse për lokomotivat.
Me fillimin e shekullit XIX, mumiet u bënë objekte të çmuara ekspozimi dhe shumë prej tyre u blenë nga koleksionistët e pasur privatë evropianë dhe amerikanë si suvenire turistike. Për ata që nuk mund të përballonin një mumie të tërë, mbetjet si një kokë, dorë ose këmbë mund të bliheshin në tregun e zi dhe të kontrabandoheshin në shtëpi.
Pas zbulimit të varrit të Tutankhamenit, lindi edhe mania që në gjithçka ia dha formën dizajnit art deco. Ndërkaq, vdekja e papritur në vitin 1923 e Lordit Carnarvon, sponsorit të ekspeditës së Tutankhamenit – nga shkaqet natyrore – shpejt iu atribuua besëtytnisë së re të “mallkimit të mumies”.
Por, pse njerëzit mendonin se mumiet ishin të mira për shëndetin? Fillimisht nxiteshin nga besimi se mbetjet njerëzore mund të kuronin çdo gjë – nga murtaja bubonike e deri te dhimbja e kokës e sulmi në zemër – dhe më pas nga idetë makabre që njerëzit kishin për argëtimin pas darkës. Mumia ishte përshkruar për çdo gjë. Prandaj, papritur, njerëzit plaçkitnin varret egjiptiane jo vetëm për bizhuteri apo qeramikë, por edhe për trupat brenda.
Praktika e konsumimit të pjesëve të mumieve të lashta egjiptiane – dhe më vonë kufomave të balsamosura të të gjitha llojeve – filloi në shekullin XI. Sipas historianit Karl Dannenfelt, kjo ishte pasojë e keqkuptimeve dhe përkthimeve të gabuara. E quajtur sipas fjalës lokale për dyllë, “mum”, substanca u përdor në botën arabe si materie e shtrenjtë, e çmuar dhe efektive. Por, mumia ishte substancë e gjetur në një shpat të vetëm malor persian, ku kishte asfalt. Mirëpo, kur evropianët perëndimorë filluan të njiheshin me botën islame dhe të përkthenin tekstet e saj, një përkthim i vetëm i gabuar çoi në një konfuzion të gjerë rreth kuptimit të mumies. Sipas Dannenfeltit, një sërë përkthyesish të shekullit të XI dhe XII e identifikuan gabimisht mumien si substancë e nxjerrë nga trupat e ruajtur në varret egjiptiane. Një pjesë e konfuzionit erdhi nga ngjashmëria e fjalës mumie me fjalën mum dhe gjithashtu nga fakti se disa mumie të lashta egjiptiane u balsamosën duke përdorur asfaltin. Shkencëtarët tani e dinë se vetëm disa mumie janë bërë me këtë proces. Por, evropianët perëndimorë, të magjepsur nga gjetjet e lashta në Egjipt, vrapuan pas këtij koncepti dhe mumia u ndërlidh me trupa të balsamosur – në vend të asfaltit të çmuar nga mali persian.
Sidoqoftë, përkthimi i gabuar dhe keqkuptimet mjekësore kombinoheshin me një tjetër besim të gabuar: atë se trupi i njeriut përmban veti që mund të shërojnë njerëzit e tjerë. Nga shekulli XII farmacistët përdornin mumiet e grira. Ato si ilaçe i përshkruar gjatë 500 viteve të ardhshme. Sepse, në një botë pa antibiotikë, mjekët përshkruanin kafkat, kockat dhe mishin për të trajtuar sëmundjet. Në fakt, për breza të tërë njerëzit kishin praktikuar atë që tani njihet si kanibalizëm mjekësor, në përpjekjen për një shëndet më të mirë. Nga besimi se gjaku i gladiatorëve mund të shëronte epilepsinë e deri te përdorimi i yndyrës njerëzore në ilaçet shtëpiake, kanibalizmi mjekësor ishte i njohur në Evropën Perëndimore mesjetare. Por, me ardhjen e mumies, mjekët besuan se e gjetën një burim të ri të produkteve shëruese të bëra nga trupi i njeriut.
Mirëpo, jo të gjithë ishin të bindur për këtë. Guy de la Fontaine, mjek mbretëror, dyshoi se mumia ishte ilaç i dobishëm dhe ai ka parë mumie të falsifikuara të fshatarëve të vdekur në Aleksandri në vitin 1564. Kuptoi se njerëzit mund të mashtroheshin. Ata nuk konsumonin gjithmonë mumiet e vërteta të lashta. Kjo ndodhi meqë kërkesa e kaloi shpejt ofertën, duke çuar në një tregti të shpejtë të mumieve të rreme. Tregtarët filluan t’i shisnin kufomat e reja dhe trupat e kriminelëve të ekzekutuar, të njerëzve të skllavëruar dhe të tjerëve në përpjekjen për të përfituar nga kjo çmenduri. Rrëmbyesit e trupave “natën vidhnin trupat e atyre që ishin varur”, shkroi një vëzhgues, i cili vuri në dukje se trupat pastaj balsamoseshin me kripë dhe ilaçe, thaheshin në furrë dhe bluheshin në pluhur që farmacistët ia shtonin ilaçeve shtëpiake. Mirëpo, falsifikimet ilustrojnë një pikë të rëndësishme: kishte kërkesë të vazhdueshme për mish të vdekur për t’u përdorur në mjekësi dhe furnizimi i mumieve të vërteta egjiptiane nuk mund ta përmbushte këtë kërkesë.
Kështu, farmacistët dhe herbalistët deri në shekullin XVIII shpërndanin ilaçe të bëra mumiet. Mbreti Charles II i Anglisë mori ilaçe të bëra nga kafka njerëzore, pasi pësoi një sulm në tru, dhe deri në vitin 1909 mjekët zakonisht përdornin kafkat për të trajtuar sëmundjet neurologjike. Për elitën mbretërore dhe shoqërore, ngrënia e mumieve dukej ilaç i përshtatshëm mbretëror, pasi mjekët pretenduan se mumia ishte bërë nga faraonët dhe mbretërit hanë mbretërit.
Sot, tregu i zi i kontrabandës së antikitetit – përfshirë mumiet – vlen rreth tre miliardë dollarë. Asnjë arkeolog serioz nuk do të çmbështillte një mumie dhe asnjë mjek nuk do të sugjeronte të hante një të tillë. Por, joshja për mumiet mbetet e fortë. Ato janë ende në shitje, ende të shfrytëzuara dhe ende janë mall. /Telegrafi/