“Manifesti Komunist”, dokumenti që frymëzoi revolucionet në mbarë globin

30 tetor 2024 | 08:43

Manifesti Komunist ishte një pamflet politik i botuar në Londër nga Lidhja Komuniste (një grup socialistësh revolucionarë me origjinë gjermane) në shkurt të vitit 1848. Duke pasur parasysh ambiciet e tij madhështore, ai kishte një hapje dramatike, të denjë për ambiciet e atyre që e kishin hartuar: “Një hije po bie mbi Evropë – hija e komunizmit.”

Manifesti ishte një zhvillim i përbashkët i ideve të Karl Marksit dhe Friedrich Engels-it, por drafti përfundimtar u shkrua vetëm nga Marksi në janar 1848 në Bruksel. Ai ndoqi një shabllon që Engelsi kishte shkruar më parë për Lidhjen e të Drejtëve (Marksit dhe Engelsit iu kërkua t’i bashkoheshin, dhe ata e riemërtuan Lidhja Komuniste).

Teksti i Manifestit u bë një material me ndikim politikisht të rëndësishëm në publikun gjerman dhe bëri që Marksi të dëbohej nga vendi.

Megjithëse shumë nga idetë në Manifestin Komunist nuk ishin të reja, vepra u dërgua në Londër dhe u miratua nga Lidhja si manifesti i grupit. Ai argumentonte se shfrytëzimi i një klase nga një tjetër është forca motivuese pas çdo zhvillimi në histori. Në botim, Marksi parashikoi një revolucion të afërt në Evropë dhe menjëherë pas daljes të tij, shpërtheu vërtet revolucioni në Francë, për ndalimin e takimeve politike që mbaheshin nga opozita dhe grupet socialiste.

Mbreti Louis Philippe I u detyrua të abdikonte pas trazirave të izoluara që çuan në revoltë popullore dhe nuk kaloi shumë kohë përpara se revolucioni të përhapej në të gjithë Evropën. Marksi, i cili ishte në Paris në atë kohë, u dëbua nga qeveria belge, e cila kishte frikë se edhe Belgjika do të përfshihej shpejt nga revolucioni.

Pavarësisht se botimi origjinal në gjermanisht pati pak ndikim të menjëhershëm, idetë e tij jehuan në shekullin e ardhshëm dhe në vitet 1950 pothuajse gjysma e popullsisë së botës jetonte nën sundimin marksist. Manifesti do të shërbente si një thirrje politike për lëvizjen komuniste në të gjithë Evropën.

I shkruar në katër pjesë, dokumenti fillon duke vënë në dukje se borgjezia evropiane e kishte identifikuar komunizmin si një kërcënim, për shkak të potencialit të tij për të ndryshuar sistemin ekonomik dhe strukturën e pushtetit të njohur si kapitalizëm.

Pjesa e parë e dokumentit shpjegon evolucionin e kapitalizmit dhe strukturën klasore që ai krijoi; një sistem i ri klasor i përbërë nga punëtorët me paga (proletariati) dhe pronarët e mjeteve të prodhimit (borgjezia).

Marksi dhe Engelsi theksuan se botëkuptimet dhe interesat e pakicës së fuqishme dhe të pasur pasqyrohen nga shteti dhe jo nga pikëpamjet e proletariatit, i cili përbën shumicën e shoqërisë. Ata vazhduan të diskutojnë realitetin shfrytëzues me të cilin përballen punëtorët e detyruar të konkurrojnë për punë dhe t’ia shesin punën e tyre borgjezisë. Sipas tyre, punëtorët shpejt bëhen të shpenzueshëm pasi zëvendësohen kollaj. Megjithatë, autorët e Manifestit e kuptuan të metën në këtë qasje: “Ajo që prodhon borgjezia, mbi të gjitha, janë varrmihësit e saj. Rënia e tij [sistemit] dhe fitorja e proletariatit janë po aq të pashmangshme”.

Lëvizja komuniste u përpoq të përfaqësonte interesat e proletariatit dhe synonte të bashkonte punëtorët në një klasë me të njëjtat interesa dhe të rishpërndante pushtetin politik duke përmbysur sundimin e borgjezisë. Marksi dhe Engelsi përcaktuan dhjetë synime që ata shpresonin t’i zbatonin, duke përfshirë eleminimin e pronës private dhe futjen e arsimit falas për të gjithë fëmijët në shkollat ​​publike.

Pjesa e tretë përqendrohet në një vizion të asaj që mund të ishte, me një qëllim përfundimtar krijimin e shoqërive të reja dhe jo reformimin e atyre ekzistuese, një ëndërr që do të arrihej përmes një lufte kolektive nga proletariati.

Pjesa e katërt dhe e fundit shpreh mbështetjen për të gjitha lëvizjet revolucionare që sfidonin rendet ekzistuese politike dhe shoqërore të kohës.

Duke thirrur klasën punëtore të qëndronte si një e vetme, Marksi e mbyll me një thirrje për armë: “Proletarët nuk kanë asgjë për të humbur përveç zinxhirëve të tyre. Ata kanë një botë për të fituar. Punëtorë të botës, bashkohuni!”

Që nga fundi i shekullit të 19-të, Manifesti Komunist (i cili është rishikuar dhe ribotuar shumë herë) është lexuar gjerësisht në mbarë botën dhe mbetet themeli për kritikët e kapitalizmit. Ai ka dëshmuar të jetë frymëzim për shumë sisteme ekonomike, sociale dhe politike që tani organizohen nga demokracia dhe barazia dhe jo nga shfrytëzimi i masave. / bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në faqet e internetit gjatë shtatorit dhe tetorit, më shumë…