Manifestim i madh anti-Brexit
Manifestim kaq të madh, Londra nuk kishte parë prej vitesh, të paktën prej 2003-shit kur kundërshtohej pjesëmarrja e ushtrisë britanike në sulmin ndaj Irakut.
Rreth një milionë njerëz, po aq sa në atë kohë, morën pjesë në manifestimin ku kërkohet një referendum i dytë me shpresën për të penguar daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
“Lëre popullin të vendosë” ishte slogani i manifestimit, një thirrje që organizatorët i drejtuan kryeministres May, për t`a hedhur marrëveshjen me Brukselin në referendum, pasi nuk po siguron shumicën në parlament.
Tom Watson, nënkryetar i Labursitëve, ka deklaruar se populli duhet të vendos serish “Mënyra për të kapërcyer ngërçin është që populli dhe parlamenti të flasin në një zë. Është koha për t’a thënë me një zë. Lëre popullin të vendosë.”, ka deklaruar ai.
Të njëjtën thirrja ndaj kryeministres e ka pasur edhe Nicola Sturgeon, Drejtuese e Qeverisë së Skocisë. “Zëri i popullit nuk po dëgjohej. Nëse kjo është pikëpamja jote zonja kryeministre, atëherë lëre popullin të flasë.”m ka deklaruar ajo.
Kryeministres May i duhet t’a hedhë për të tretën herë marrëveshjen me Brukselin në votim në parlament. Kreu i dhomës së ulët nuk pranoi t’a shtrojë për diskutim të njëjtën marrëveshje që përmban lëshimet e bëra nga Brukseli, por që u refuzuan në votimin e dytë. Bashkimi Evropian pranoi të shtyjë afatin e Brexitit deri më 22 Maj, për t’i lënë kohë May të bindë deputetët rebelë brenda konservatorëve. Liderët e BE-së nuk pranojnë të bëjnë lëshime të tjera. Mediat britanike shkruajnë se një nga kushtet që deputetët rebelë kanë vënë është dorëheqja e kryeministres sapo marrëveshja të miratohet./tvklan/