Manipulimet e MPB-së të Serbisë në Gjykatën Speciale
Reagim i KMDLNj-së
Si dëshmitare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë ishte Stamenka Jelliq që dëshmoi për marrjen e burrit të saj nga persona të paidentifikuar e që përgjegjësia për këtë i adresohet UÇK-së, gjithnjë sipas ZPS-së e që mbështetet në faktet e sajuara nga institucionet hetuese dhe të sigurisë së Serbisë. Këtë e vërtetoi dëshmitarja Jelliq, që ndryshe është dëshmitarja e 94-të e ZPS-së.
Ajo, gjatë dëshmisë deklaroi se në dëshminë që e ka dhënë para autoriteteve serbe nuk ka përmendur asnjë emër të përveçëm sikur që nuk ka dhënë asnjë indikacion për rrëmbyesit e mundshëm të burrit të saj. Deklaratën e ka nënshkruar në formën dhe përmbajtjen që e ka dhënë kurse kjo në të cilën mbështetet prokurori special nuk është e saj por se është sajuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë duke përmendur emra që për dëshmitaren janë të panjohur.
KMDLNj-ja gjithmonë ka deklaruar se provat e ZPS-së kundër udhëheqësve ushtarakë dhe politikë , të gjithë shqiptarë dhe shtetas të Kosovës janë kryesisht nga inteligjenca dhe institucionet e Serbisë të cilët , me ndihmën e disa mercenarëve të Kosovës kanë trajnuar dëshmitarë nga Kosova dhe Serbia se si të dëshmojnë para kësaj gjykate. Dëshmitarja Jelliq dhe dëshmitarë tjerë e kanë vërtetuar këtë pakundërshtueshëm.
Për këtë arsye KMDLNj ka kërkuar që ky proces të monitorohet nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në kohën kur Kosovës i mohohet kjo e drejtë dhe kjo mundësi. Procesi që nuk monitorohet nga monitorues të pavarur dhe që nuk i nënshtrohet transparencës dhe llogaridhënies domosdoshmërisht e pamundëson një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika dhe grupet e interesit. Pa asnjë dyshim bie në kundërshtim me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria. Ndërkaq gjykimi para Gjykatës Speciale në mënyrë flagrante shkelë të drejtat e njeriut pasi ua mohon të gjitha të drejtat të privuarve nga liria. Shtrohet një pyetje logjike dhe praktike: kush po i dënon shtetasit e Kosovës, “sipas ligjeve të Kosovës”, Haga apo Serbia. Apo, të dyja bashkë, me një bashkëpunim që brutalisht dhunon të drejtën ndërkombëtare duke sajuar prova!!