Manipulimi serb me listat e të vrarëve, të rrëmbyerve dhe të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë (3)
INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së “organizatë terroriste”? (3)
-Adem Demaçi: “Vrasja e civilëve ka shërbyer për t’ia prezantuar botës se shqiptarët vrasin njerëz të pafajshëm, të cilët, në asnjë mënyrë, nuk janë të përfshirë në operacione luftarake”.
-Jakup Krasniqi: “Që nga themelimi i saj UÇK-ja është distancuar nga aktet e dhunshme ndaj civilëve, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për shqiptarë, serbë apo të tjerë që jetojnë në Kosovë”.
Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive për “Epokën e re”, në vazhdimin e pjesës së tretë, ka folur për manipulimin e Serbisë me listat e të vrarëve, të rrëmbyerve dhe të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka theksuar se pas përfundimit të luftës, propaganda zyrtare serbe u përpoq ta hiqte përgjegjësinë shtetërore për krimet më të përbindshme që ishin kryer gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë.
“Epoka e re”: A mund të ilustrohet me emra konkretë kjo formë e manipulimit me listat e të vrarëve?
Bardhyl Mahmuti: Në mars të vitit 2000, gjatë kohës kur ende pushteti ishte në duar të Sllobodan Millosheviqit, Qeveria e Jugosllavisë (Serbi – Mali i Zi) botoi në gjuhën angleze të ashtuquajturin “Libër i bardhë”, i titulluar “Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija” (Aktet terroriste të grupeve terroriste shqiptare në Kosovë dhe Dukagjin). Në funksion të manipulimit të institucioneve politike dhe ato të drejtësisë ndërkombëtare, të cilave ua kishin shpërndarë librin falas, u publikuan listat e ushtarëve, të policëve dhe të civilëve të të gjitha përkatësive etnike të vrarë gjatë luftës në Kosovë, vrasja e të cilëve i vishej UÇK-së. Pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, qeveria e re “demokratike” e këtij shteti, në muajin nëntor të vitit 2001, botoi variantin e ri të “librit të bardhë”, të titulluar “Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji-Ubijena, oteta i nestala lica, januar 1998 – novembar 2001” (Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Metohi- Personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998-nëntor 2001).
Duke bërë një analizë krahasuese të listave zyrtare të publikuara në këto libra kam nxjerrë në shesh manipulimet e shumta që janë bërë në funksion të fshehjes të së vërtetës.
Kështu, në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 5 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Milan Jovanović (Jovanoviq). Në botimin e vitit 2001, i njëjti person u transferua në listën e viktimave civile “të rrëmbyer ose të zhdukur pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”! Madje, sipas kësaj liste, Milan Jovanović ishte rrëmbyer dy herë! Në numrin rendor 334 ai u rrëmbye më 18 qershor 1999 në fshatin Babush të Ferizajt, ndërsa në numrin rendor 335 rrëmbimi ka ndodhur më 22 qershor 1999 në Ferizaj!
Në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 48 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Srečko Majanović (Sreçko Majanoviq). Në sqarimet që jepen rreth vrasjes së tij saktësohet se ky polic ishte plagosur më 1 gusht 1998, pastaj ishte transferuar në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd, ku kishte vdekur më 4 gusht 1998. Në botimin e vitit 2001 Srečko Majanović u transferua në numrin rendor 44 të listës së viktimave civile “të rrëmbyer ose të zhdukur pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”!
Në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 81 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Zoran Vasiljević (Vasileviq). Në botimin e vitit 2001 Zoran Vasiljević u transferua në numrin rendor 84 të listës së viktimave civile “të rrëmbyer ose të zhdukur pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”!
Në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 233 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Vasilije Stanković (Stankoviq). Në botimin e vitit 2001 Vasilije Stanković u transferua në numrin rendor 562 të listës së viktimave civile “të rrëmbyer ose të zhdukur pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”!
Në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 234 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Predrag Mitić (Mitiq). Në botimin e vitit 2001 Predrag Mitić u transferua në numrin rendor 353 të listës së viktimave civile “të rrëmbyer ose të zhdukur pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”!
Në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 235 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Djordje Ristić (Gjorgje Ristiq). Në botimin e vitit 2001 Djordje Ristić u transferua në numrin rendor 493 të listës së viktimave civile “të rrëmbyer ose të zhdukur pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”!
Në botimin e vitit 2000, në numrin rendor 269 të listës së punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, figuron polici Srdjan Stojković (Sërgjan Stojkoviq). Në botimin e vitit 2001 Srdjan Stojković u transferua në numrin rendor 872 të listës së viktimave civile “të rrëmbyer ose të zhdukur pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”!
Mund të vazhdojmë me fatin e policëve Sladjan Milosavljević, Predrag Milosavlević, Ljubiša Mitrović, Nebojsa Jeftić, Dragan Stanković, Djordje Balošević, Duško Dolašević, Boban Matić dhe shumë policëve të tjerë që ishin hequr nga lista e punonjësve të vrarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe që ishin “transferuar” në listën e “civilëve të vrarë apo të zhdukur nga UÇK-ja”. Por do të kufizohemi vetëm edhe në një rast: Në numrin rendor 46, të botimit të vitit 2001, në listën e viktimave civile “të rrëmbyer ose të zhdukur pas vendosjes së forcave të KFOR-it në Kosovë”, përmendet një i vrarë, për të cilin Shërbimi Sekret i Serbisë nuk e di as nga cili vend është, as moshën e tij dhe as emrin! Jepet vetëm mbiemri i të vrarit: Bukumirović (Bukumiroviq)! Në sqarimin shtesë për rrethanat në të cilat ka humbur jetën ky person thuhet se “është vrarë së bashku me policin Milorad Bulatović”.
Çdo lexues i vëmendshëm do të verifikonte nëse jepeshin të dhëna plotësuese për personin Bukumirović në listën e punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja kur sqarohet vrasja e policit Milorad Bulatović. Por, më kot! Nuk ka asnjë të dhënë plotësuese, sepse Milorad Bulatović nuk figuron në listën e publikuar të policëve të vrarë. Edhe ky polic i vrarë është transferuar në listën e “civilëve të vrarë nga UÇK-ja”!
Sa i përket këtij aspekti nuk duhet të harrojmë se “transferimi” i emrave nga lista e punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vrarë nga UÇK-ja, në listën e “civilëve të vrarë nga UÇK-ja” përbën vetëm një pjesë të realitetit të këtyre listave. Askush prej nesh nuk mund ta dijë numrin e saktë të policëve që erdhën nga qytetet e Serbisë për të luftuar në Kosovë, të cilët u vranë në luftë me UÇK-në. Por është e sigurt se asnjëri prej tyre nuk figuron në listën e policëve të vrarë!
“Epoka e re”: Për aq sa jemi në dijeni, e njëjta gjë ndodhi edhe me listën e ushtarëve të Armatës Jugosllave të vrarë para ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.
Bardhyl Mahmuti: Po! Keni plotësisht të drejtë! Në botimin e vitit 2001 jepet identiteti i 341 ushtarëve të vrarë më tepër sesa numri i publikuar në botimin e vitit 2000 i ushtarëve të vrarë nga UÇK-ja përpara ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Flasim për shifra zyrtare! Imagjino për realitetin!
“Epoka e re”: Përgjigjja juaj lë të nënkuptohet që manipulimi me lista ka qenë edhe më i madh. Nëse e kemi kuptuar drejt supozimin tuaj, atëherë në çka mbështeteni?
Bardhyl Mahmuti: Pas përfundimit të luftës, propaganda zyrtare serbe u përpoq ta hiqte përgjegjësinë shtetërore për krimet më të përbindshme që ishin kryer gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë. Për këtë qëllim ua hodhën fajin strukturave të armatosura të njohura me emrat “Škorpioni”, “Šakali”, “Tigrovi”, “Žute ose”, “Knindže” etj., duke i prezantuar si “grupe vullnetare paramilitare, jashtë kontrollit të pushtetit qendror”!
Çështja e “paramilitarëve” është trajtuar më hollësisht në një shkrim tjetër. Në kontekst të manipulimit me listat e të vrarëve në Kosovë po tërheqim vërejtjen në faktin se në asnjë listë zyrtare nuk figuron kategoria e “paramilitarëve të vrarë, të rrëmbyer apo të zhdukur në Kosovë”.
Zyrtarisht pjesëtarët e këtyre strukturave të armatosura nuk konsideroheshin pjesë të forcave ushtarake ose policore serbe. Për çdo person serioz që ka krahasuar listat e publikuara në botimet e ndryshme zyrtare serbe dhe ka konstatuar zhvendosjen e policëve të vrarë nga lista e punëtorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në listën e civilëve të vrarë nuk ka asnjë dyshim se të gjithë pjesëtarët e grupeve të lartpërmendura janë renditur në listën e “civilëve të vrarë nga UÇK-ja”.
“Epoka e re”: Me sa kemi njohuri për manipulimin me listat e sajuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë për të vrarët gjatë luftës në Kosovë, rasti i personit me mbiemër “Bukumirović” nuk është rasti i vetëm në listat e sajuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë për të vrarët gjatë luftës në Kosovë ku nuk jepen të dhëna të plota të identitetit të personit të vrarë.
Bardhyl Mahmuti: E saktë! E njëjta gjë vlen edhe për personin me mbiemër Vujinović, numër rendor 73. Emri nuk i dihet. Vučić, numër rendor 92. Emri nuk i dihet! Zlatković, numër rendor 196, gruaja e Radomirit që figuron në numrin 195, pa emra! Zlatković, numër rendor 197, vajza me të meta e Radomirit, pa emër! Jovanović, numër rendor 248, pa emër! Kizić, numër rendor 264, pa emër! Marušić, 321, pa emër! Pešić, numër rendor 445, pa emër! Rajičić, numër rendor 479, pa emër! Stojanović, numër rendor 601, pa emër! Čučkić, numër rendor 680, pa emër! Dhe shumë persona tjerë pa emra. Pastaj kemi Boško, numër rendor 695, pa mbiemër! Živko, numër rendor 696, pa mbiemër! Zoran, numër rendor 697, pa mbiemër! Ivica, numër rendor 698, emri i babës Velimir, por asnjërit nuk i dihet mbiemri! Ilija, numër rendor 699, pa mbiemër! Ružica, numër rendor 700, pa mbiemër! Srba, numër rendor 701, pa mbiemër! Stoja, numër rendor 702, pa mbiemër!… Në numrat rendorë 703-709 janë shtatë persona të cilëve nuk u publikohet as emri e as mbiemri! Kësaj liste iu shtuan edhe 72 persona të paidentifikuar, por e dinë se janë “civilë serbë të varë nga UÇK-ja”!
“Epoka e re”: Përveç shembujve të transferimit të pjesëtarëve të vrarë të forcave të armatosura serbe në “listën e civilëve të vrarë, të rrëmbyer apo të zhdukur nga UÇK-ja”, çka do të veçonit për lexuesit?
Bardhyl Mahmuti: Rasti i vrasjes së gjashtë të rinjve të përkatësisë serbe dhe malazeze në kafenenë “Panda”, në qytetin e Pejës, më 14 dhjetor 1998, është domethënës. Mbi 100 shqiptarë u torturuan mizorisht me qëllim që t’i detyronin të pranonin se gjoja kishin kryer këtë krim dhe në fund hetuesit serbë kishin arritur të nxirrnin me darë nga Behar Bajri (18 vjeç), Vllaznim Përgjegjaj (19 vjeç), Gazmend Bajrami (20 vjeç), Xhevdet Bajrami (21 vjeç), Agron Kollçaku (26 vjeç) dhe Beqir Loxhaj (27 vjeç) pohimet se përpos vrasjes së të rinjve serbë dhe malazezë në këtë kafene, “si pjesëtarë të UÇK-së ata kishin krijuar një grup të veçantë të emëruar ‘Bombashi’ dhe kishin vrarë shumë policë në fshatrat Prilep dhe Carrabreg të komunës së Deçanit”.
“Epoka e re”: Vrasja në kafenenë “Panda” pati një jehonë shumë të madhe si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Bardhyl Mahmuti: Është e vërtetë se ky akt terrorist gjeti një hapësirë të konsiderueshme në mediet ndërkombëtare, ndërkaq William Walkeri në emër të 54 shteteve të OSBE-së dënoi me ashpërsi këtë krim.
Të bindur se një akt i tillë kriminal nuk mund të imagjinohej as si akt i izoluar nga ndonjë shqiptar, në të gjitha konferencat me gazetarë apo në kontaktet diplomatike që patën në atë kohë, ne e kemi përgënjeshtruar propagandën serbe. Po sjell për lexuesit vetëm disa shembuj që ilustrojnë në mënyrë të përkryer qëndrimet tona rreth vrasjes së civilëve në përgjithësi, apo të rastit konkret në veçanti. Në konferencat me gazetarë të mbajtura në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së në Prishtinë, më 15 dhjetor dhe më 22 dhjetor 1998, Adem Demaçi, dënoi vrasjen e civilëve pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Të njëjtin qëndrim e përsëriti në Deklaratën Politike nr. 21, të datës 17 dhjetor 1998, të lëshuar në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme të citoj një pjesë të kësaj deklarate: “Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë herë deri më tani është distancuar nga çdo formë e dhunës që është ushtruar mbi qytetarët e pambrojtur e të paarmatosur, pa marrë parasysh se cilës etni i kanë takuar viktimat. Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk është kryese e as nxitëse e vrasjes mizore të të rinjve serbë në një kafene të Pejës. Ne jemi të bindur se ajo vrasje është vepër e policisë sekrete serbe, polici kjo e përgatitur për akte të tilla mizore, e që i ka kryer edhe herëve të tjera mbi shqiptarët e qytetarët e tjerë të Kosovës. Edhe vrasja ditë më parë në Gllogoc të Drenicës, edhe pse njëra nga viktimat ishte pjesëtar i policisë serbe, është kryer nga e njëjta dorë, për t’i humbur gjurmët e krimit, pasi polici Qorri ndoshta një ditë do të mund të dëshmonte për krimet serbe të kryera në Drenicë.
Qëllimi i këtyre vrasjeve, sidomos i të parës, është t’i acarojë edhe më marrëdhëniet shqiptaro-serbe, për t’i ngjallur ndjenjat shoviniste, për ta ringjallur moralin e humbur në radhët e veta dhe për t’u hedhur hi syve të diplomacisë botërore, por edhe për ta arsyetuar politikën e tyre të gjenocidit e të terrorit para popullit të vet dhe opinionit të gjerë ndërkombëtar”.
Sa iu përket takimeve diplomatike, po përmend takimin që zhvilloi në Dragobil të Malishevës zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, me Lawerence Rosin (drejtor i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit Amerikan). Përzgjodha këtë takim për të vetmen arsye se qëndrimet e Adem Demaçit dhe të Jakup Krasniqit për vrasjen në kafenenë “Panda” në Pejë, dhe për vrasjen e nënkryetarit të komunës së Fushë-Kosovës, Zvonko Bojaniq, gjetën hapësirë mediatike edhe në gazetën beogradase “Vreme”.
Kështu edhe opinioni publik i Serbisë pati mundësi të informohej për mohimin kategorik të propagandës shtetërore serbe që përpiqej t’i vishte UÇK-së krimet që nuk i kishte bërë dhe të njihej me qëndrimet e përfaqësuesve politikë të UÇK-së. Lidhur me vrasjen e nënkryetarit të komunës së Fushë-Kosovës gazeta “Vreme” citon thëniet e Adem Demaçit: “Bojaniq fliste gjuhën shqipe në mënyrë të përkryer dhe shqiptarëve u kishte bërë vetëm të mira. Nuk ka asnjë shqiptar që flet keq për të. Këto fakte na shtyjnë të jemi 100 % të sigurt se ai nuk ka humbur jetën nga dora e shqiptarit. Sipas të gjitha gjasave, puna e Bojaniqit për t’u afruar me shqiptarët ka qenë shkaku i eliminimit të tij. Në këtë mënyrë do t’u pamundësohej të tjerëve të punojnë në përafrimin e shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve. Këto vrasje u kanë shërbyer për t’ua prezantuar botës se shqiptarët vrasin njerëz të pafajshëm, të cilët në asnjë mënyrë nuk janë të përfshirë në operacione luftarake”. Ndërkaq pas takimit në Dragobil të Malishevës me Lawerence Rosin (drejtor i Drejtorisë për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit Amerikan), në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi deklaroi: “Që nga fillimi UÇK-ja është distancuar nga aktet e dhunshme ndaj civilëve, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për shqiptarë, serbë apo të tjerë që jetojnë në Kosovë”.
(Muhamet Mavraj / Vijon)