Manuali i MSh-së për mbrojtje nga Covid-19, i gjatë dhe jopraktik
Manuali i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) për mbrojtje nga përhapja e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirus, nuk po gjen zbatim te qytetarët.
Ky manual është 153 faqe dhe gjendet vetëm online në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përpilimi i këtij dokumenti u bë si masë për parandalimin e përhapjes së pandemisë, pas rritjes së numrit të rasteve me sëmundjen Covid-19 në Kosovë.
Mirëpo ky dokument, nuk po gjen zbatim te qytetarët. Disa prej atyre me të cilët biseduam në Prishtinë, nuk e kanë lexuar fare manualin që ka 153 faqe.
Ata që e kanë lexuar kanë vërejtjet e tyre, duke e cilësuar si shumë voluminoz.
Gramoz Bajqinca e Bukurije Shala, kanë thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nuk kanë dëgjuar të ketë një manual nga ministria.
“Nuk e kam parë, nuk e di. E kam parë vendimin e fundit të ministrit për lokalet, por nuk më prek mua, i prek lokalet. Nuk e kam lexuar manualin. Nuk e kam ditur që ka manual”, ka thënë Buqinca.
Ndonëse nuk e ka lexuar, Bukurije Shala nga Prishtina, nuk ka fare shpresë që ky manual të jetë i dobishëm.
“Jo nuk e kam parë, për besë nuk e kam parë. Por, edhe pse nuk e kam parë po e di që nuk bën”, ka thënë ajo.
Abaz Makolli, i cili punon në Komunën e Prishtinës, ka thënë se manuali i Ministrisë së Shëndetësisë i ka ardhur në email, bashkë me një shkresë që leximi dhe zbatimi i tij është i obligueshëm.
Mirëpo ai ka thënë se ky manual është dashur të jetë më i thjeshtë.
“Mund të jetë shumë më i shkurtë sepse është shumë i gjatë. Njerëzit kur e shohin gjatë nuk e lexojnë, mirëpo me pak rreshta ndoshta duhet të jetë më i thjeshtë”, ka thënë Makolli.
Të njëjtin mendim e ka edhe Nevruz Zogu nga Gjakova.
“Për qytetarët e thjeshtë është pak voluminoz. Mendoj se ka mundur të bëhet një skript. Ato srkiptat e partive që i bëjnë, i bëjnë më të thjeshta se këto për shëndetësi. Këto duhet të mund të lexohen edhe nga një fëmijë 7-vjeçar dhe një plak 80 ose 90 vjeç”, ka thënë Zogu.
Manuali u kritikua edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi
Të premten ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj, ka ndarë shqetësimin e njëjtë me qytetarët.
Sipas saj, manuali për mbrojtje nga përhapja e Covid-19 duhet të jetë më i shkurtë, në mënyrë që qytetarët ta kenë qasjen më të lehtë.
“Ne e kemi manualin dhe mendojmë që është një material bukur voluminoz për periudhën në të cilën ne jemi duke kaluar dhe qytetarëve të vendit iu nevojitet një broshurë më e shkurtër, me informata të sakta, të shkurta dhe mundësi të shfrytëzimit praktik”, ka thënë Reshitaj.
Ministri Zemaj ka thënë në komision se manuali paraqet një përmbledhje të udhëzuesve të ndryshëm nga fusha të ndryshme dhe se do të përditësohet në vazhdimësi.
“Ky manual specifikon detajet për mënyrën e organizimit të punës në veprimtaritë e lejuara, bizneset private, gastronomi, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe çdo veprimtari tjetër”, ka thënë Zemaj para anëtarëve të këtij komisioni.
Çka përmban ky manual?
Manuali për mbrojtje nga përhapja e Covid-19, i publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, ka 153 faqe.
Në këtë manual, përveç të dhënave se çfarë është Covid-19, si përhapet dhe cilat janë masat për parandalimin e tij, jepen edhe rregullat se si të bëhet zvogëlimi i përhapjes së Covid-19 në vendet e punës.
“Nëse një punonjës është konfirmuar të jetë i infektuar me Covid-19, punonjësit duhet të informojnë punonjësit tjerë për mundësinë e ekspozimit të tyre në Covid-19 në vendin e punës, por duhet të ruajnë konfidencialitetin sipas rregullave etike. Punëdhënësit duhet të udhëzojnë punonjësit se si të vazhdojnë punën duke u bazuar në udhëzimet e këtij udhëzuesi”, është thënë në këtë manual.
Po ashtu, aty është vendosur edhe për rregullat e lokaleve ndaj klientëve gjatë kohës së pandemisë, ku thuhet se numri maksimal i lejuar i klientëve është 1 person në 8 metër katrorë.
Pronarët e lokaleve janë të obliguara të publikojnë numrin maksimal të lejuar të personave para hyrjes së lokaleve.
Manuali është publikuar edhe në gjuhën serbe dhe angleze.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha Institucionet respektive obligohen të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë manual, varësisht nga specifikat e tyre.
Lehtësimi i masave në fillim të muajit qershor dhe moskujdesi i qytetarëve, sipas institucioneve të shëndetësisë, ka bërë që të rritet numri i të prekurve me Covid-19.
Që nga konfirmimi i rasteve të para e deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 2 073 persona të prekur me sëmundje Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Prej tyre, 1 018 persona janë shëruar, derisa 36 pacientë kanë vdekur.