Manxhuka: Ata që kanë bërë biznese me Radoiçiqin nuk mund të na gjykojnë
Manxhuka: Ata që kanë bërë biznese me Radoiçiqin nuk mund të na gjykojnë
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas bisedës telefonike të publikuar, ku Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie , Mimoza Kusari-Lila, ka komunikuar me kriminelin serb, Milan Radoiçiq.
Duke iu përgjigjur kritikave që kanë marrë, Manxhuka ka thënë se ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të ia bëjnë gjyqin Vetëvendosjes.
Më tutje, Manxhuka ka thënë se qytetari do të gjykojë më së miri.
“Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karriget e zyrës së kryeministrit. Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ndryshe, një audio-incizim i publikuar nga gazeta “Nacionale” ku dëgjohet shefja e grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, teksa flet me kryekriminelin Milan Radoiçiq, ka nxitur shumë reagime në vend.