MAPL-ja përkrah komunën e Kllokotit
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, ka vizituar komunën e Kllokotit me ç’rast është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bozidar Dejanoviq.
Ministri Todosijeviq i ka uruar fat kryetarit të ri të komunës, duke cekur se prioritet për të janë qytetarët e kësaj komune.
“Sa më shumë vëmendje t’i kushtohet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. MAPL-ja sikur deri më tani me kapacitet të plotë në përputhje me mundësitë e saj do të përkrah këtë komunë”, ka thënë Todosijeviq.
Kurse kryetari i komunës së Kllokotit, Bozidar Dejanoviq ka falënderuar ministrin Todosijeviq për vizitën dhe shkurtimisht e ka informuar për punën në komunë, problemet me të cilat ballafaqohet komuna si dhe për planet dhe idetë të cilat komuna në të ardhmen mund t’i realizojë në mënyrë që të kontribuoj në jetën e qytetarëve.
Ministri së bashku me kryetarin e komunës kanë vizituar Shtëpinë e Kulturës në Kllokot dhe qendrën e fshatit Vërbovc, ku MAPL-ja do të financojë projektin për rregullimin e qendrës së fshatit.