MAPL-ja: Peticioni për bashkimin e Mitrovicës, joligjor
Ideja e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri që të bashkohet Mitrovica, nuk ka gjetur përkrahje në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL).
Përmes një vendimi, kjo ministri ka refuzuar kërkesën e qytetarëve të Komunës së Mitrovicës jugore për bashkim me atë veriore.
Iniciativa e Bahtirit, është përcjellë edhe me një peticion të nënshkruar nga rreth 17 mijë qytetarë të Mitrovicës Jugore, për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kufijtë administrativë të komunave.
MAPL-ja përmes këtij vendimi, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të refuzojë nismën legjislative meqë nuk i përmban kushtet dhe kriteret e përcaktuara me Ligjin për nisma legjislative.
Inicimi i peticionit të qytetarëve të komunës së Mitrovicës së Jugut, nga ana e kryetarit Agim Bahtiri pasoi dorëheqjen e katër kryetarëve serbë të komunave veriore të Kosovës.
Peticioni me nënshkrimet e qytetarëve për bashkimin e qytetit të Mitrovicës, më 16 janar i ishte dorëzuar Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili e kishte pranuar peticionin, kishte thënë se do të trajtojë atë në mënyrë serioze dhe si i tillë peticioni do të shkojë në Komision përkatës parlamentar për proces të verifikimit. /Rel/