Maqedonci dhe Jashari vizitojnë kadetët gjatë ushtrimit fushor ‘Kampi i avancuar 2024’

30 maj 2024 | 17:17

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i shoqëruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari dhe shefi i stafit të ShP-së, gjeneral brigade Ilir Qeriqi, kanë vizituar kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) në ushtrimin fushor “Kampi i Avancuar 2024” që po zhvillohet në Gjakovë.

Delegacioni është pritur nga komandantja e QSU-së , majore Mimoza Budeci, e cila ka njoftuar me aktivitetet, të arriturat, gatishmërinë dhe moralin e lartë të kadetëve të shfaqur në të gjitha aktivitetet të realizuar në kuadër të “Kampit të Avancuar”, që njëherësh është edhe ushtrimi vlerësues kulmor për kadetët, ku vlerësohen aftësitë e tyre operacionale dhe taktike në terren.

Ministri dhe komandanti i FSK-së e kanë përgëzuar KOMQSU, Budecin dhe stafin për organizimin, angazhimin dhe rezultatet e arritura dhe kanë theksuar që ky është një moment i rëndësishëm për të përmbyllur vlerësimet finale të kadetëve për këtë vit akademik.

Qendra për Studime Universitare ju ofron kadetëve një program shkollimi i cili i përgatit ata që pas diplomimit të shërbejnë si oficer me vlera të larta ushtarake, akademike dhe operacionale. Përmes trajnimit të tyre të vazhdueshëm në fushat e ndryshme si strategjia, taktikat dhe menaxhimi i krizave, kadetët zhvillojnë një vizion të gjerë për të kuptuar dhe përballur me sfidat më komplekse të spektrit të mbrojtjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani, ka paralajmëruar hapjen…