Maqedonci e përmend prapë luftën: Sa të ekzistojë ideja për një “Serbi të madhe”, ka rrezik për Kosovën dhe rajonin
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Serbia nuk i ka ndalë ushtrimet provokuese as para dhe as pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.I pyetur nëse ekziston mundësia e ndonjë sulmi nga Serbia, ai ka thënë se përderisa ekziston ideja e një “Serbie të madhe” në rajon, kjo paraqet rrezik dhe jo vetëm për Kosovën.
Por, Maqedonci në një intervistë për emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se Kosova është e gatshme të përballet me çfarë do kërcënimi jo vetëm nga Serbia po nga kushdo që ka guximin të cenojë sovranitetin e vendit.
“Përderisa, vazhdon të ekzistojë, të ushqehet dhe të fuqizohet teoria hegjemoniste e të pasurit një “Serbi të madhe” në rajon, kjo është kërcënim jo vetëm për Kosovën por për gjitha vendet. Pavarësisht kësaj jemi të gatshëm të përballemi me çdo sfidë dhe çdo kërcënim jo vetëm nga Serbia, por nga kushdo qoftë që guxon të prekë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka thënë Maqedonci.