Maqedonci i kundërpërgjigjet Serbisë: Prej kur keni filluar t’a ruani prerjen e pyllit me ushtarë të armatosur?
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës i ka reaguar Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, të cilët afrimin e trupave serbe 50 metra nga vija kufirtare me Kosovën, e arsyetuan si një “kundërvajtje për prereje pyllit”.
Ministri Maqedonci ka pyetur se “Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake?”.
Tutje ai ka treguar se sipas ligjit në Serbi kjo gjë iu takon zyrtarëve për ruajttjen dhe pengimin e prerjes së pyjeve brenda Serbisë, e jo ushtarëve.
Ai tutje është shprehur se Kosova vazhdon të “qëndroj e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë.”.
Postimi i plotë:
Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë në lidhje me aktivitetet e ushtrisë serbe në afërsi prej 50 metra nga vija kufitare me territorin e Kosovës, një aktivitet tipik ushtarak, mundohet të kamuflohet si aktivitet për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve.
Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë.
Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrushme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit.
Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.
Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë.