Maqedonci kërkon mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me ceremoni zyrtare, të shoqëruar nga togu ceremonial i FSK-së, ka pritur të premten në takim homologun e tij nga Italia, ministrin Guido Crosetto.
Në këtë takim miqësor është biseduar rreth situatës së sigurisë në vend, si dhe format se si mund të zgjerohet bashkëpunimi në fushën e shkollimit si dhe trajnimit të ushtarakëve, e po ashtu në fushën e industrisë së mbrojtjes.
Me këtë rast, ministri Maqedonci, ka kërkuar mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, ku ministri Crosetto ka konfirmuar mbështetjen e pakursyer të Italisë. Të dy u dakorduan se Integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme.
Ministri Maqedonci e ka falënderuar homologun e tij, për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it.
Po ashtu, delegacioni italian është njoftuar rreth mbështetjes që Kosova është duke i ofruar Ukrainës, përmes ofrimit të trajnimeve dhe dhurimit të automjeteve taktike e predhave që pritet të dërgohen së shpejti.
Pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, drejtori i Drejtorisë për Inteligjencë dhe Siguri, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.