
Maqedonci: Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s
Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri me kapacitete të plota është duke u bërë më shpejt seç ka qenë e planifikuar, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ai konfirmon se numri i pjesëtarëve të FSK-së tashmë ka kaluar 4.300 dhe se, brenda vitit të ardhshëm, pritet të arrijë mbi 5.000.
FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri që nga viti 2018.
Në fund të tranzicionit, më 2028, ajo parashihet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë – prej tyre 5.000 aktivë, të tjerët rezervistë.
“Objektivat tona po realizohen më shpejt seç ka qenë e planifikuar fillimisht – gjë që tregon përkushtimin tonë ndaj zhvillimit të FSK-së”, thotë Maqedonci.
Sipas tij, forca ushtarake është duke u ngritur sipas standardeve të NATO-s – aleancës 32-anëtarëshe, ku Kosova mëton të anëtarësohet.
Ai thotë se pjesëtarët e saj janë duke u trajnuar në akademitë ushtarake të NATO-s dhe duke zbatuar doktrinën e saj.
Për më tepër, shton Maqedonci, “të gjitha blerjet tona ushtarake realizohen nga vendet anëtare të NATO-s”.
“Ky është një standard, i cili garanton pajisje cilësore dhe përputhshmëri të plotë me sistemet e aleancës”, thekson ai.
Sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ministri vlerëson se Kosova ka kapacitete shumë më të avancuara, krahasuar me disa vite më parë.
Për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, ai nuk jep detaje se çka prej armatimit posedon vendi, por, mes tjerash, përmend “një flotë të dronëve Bayraktar” dhe “sisteme të tjera të fluturakeve pa pilotë”.
“Ne kemi prokuruar sisteme të ndryshme nga vende të ndryshme dhe disa prej tyre janë të përafërta me Javelin-in”, thotë Maqedonci, duke iu referuar sistemit kundërajror amerikan, i cili ka aftësi të avancuara kundër mjeteve të blinduara.
Vitin e kaluar, Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve të tillë dhe Maqedonci thotë se, aktualisht, është duke u bërë pagesa e tyre.
“Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së i ka zbatuar të gjitha procedurat e prokurimit dhe ne jemi tashmë në fazën e ekzekutimit të pagesave. Gjatë këtij viti, pritet të arrijë një sasi e konsiderueshme e këtyre raketave”, thotë ministri Maqedonci.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.