
Maqedonci me ambasadorin britanik flasin mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Jonathan Hargreaves, ku diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë takimit, një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte arkitektura e re politike në botë dhe sfidat që vijnë me të.
Palët ndanë ide dhe qasje mbi mënyrat më efektive për të përballuar zhvillimet e fundit globale, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe partneriteteve strategjike.
Ambasadori Hargreaves i përcolli ministrit Maqedonci urimet më të sinqerta për rezultatin e zgjedhjeve, duke vlerësuar lidershipin dhe angazhimin e tij në forcimin e sektorit të mbrojtjes.
Gjithashtu, ai shprehu gatishmërinë për të vijuar dhe thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Të dyja palët riafirmuan angazhimin për të punuar së bashku në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit, duke eksploruar mundësi të reja për bashkëpunim në të ardhmen.