Maqedonci në Turqi për ngjarjen e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore SAHA – EXPO
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ftuar nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare së Turqisë, Yashar Gyler, si dhe presidenti SAHA Istanbul, Haluk Bayraktar, sot dhe nesër do të qëndrojë në Stamboll të Turqisë, për pjesëmarrje në ngjarjen kryesore të industrisë turke të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore SAHA EXPO.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se në këtë konferencë, ministri është i shoqëruar nga atasheu i mbrojtjes në Turqi, kolonel Bekim Zejnullahu dhe drejtori i Departamentit për Logjistikë dhe Infrastrukturë në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Imer Avdiu.
Ministri theksoi se pjesëmarrja në këtë ngjarje do të jetë një mundësi e mirë për të iniciuar kontakte dhe marrëdhënie të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me ç’rast do të realizojë disa takime bilaterale.
SAHA EXPO është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e industrisë turke të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore që organizohet nga SAHA Istanbul, që është entiteti më i madh në Turqi dhe Evropë për industrinë e mbrojtjes dhe hapësirën ajrore, me mbi 1200 anëtarë, në mesin e të cilëve edhe 29 universitete.