Maqedonci për 111-vjetorin e ushtrisë shqiptare: Bashkë jemi më të fuqishëm dhe të pathyeshëm
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka uruar ushtrinë shqiptare në 111-vjetorin e themelimit.
Maqedonci ka theksuar se një kapitull shumë i lavdishëm i forcave ushtarake të shtetit shqiptar, është përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999.
“4 dhjetori i vitit 1912 është data e themelimit të ushtrisë së Shqipërisë! Shtatë ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor, Kuvendi Kombëtar në Vlorë themeloi Ministrinë e Luftës me ministër Mehmet Dërrallën. Fillimisht për këtë detyrë u propozua Isa Boletini, i cili ndonëse e refuzoi atë, i vuri në dispozicion trupat e tij, rreth 300 vullnetarë nga Kosova, që u bënë bërthamë mbi të cilën u themelua ushtria shqiptare. Isa Boletini vazhdoi t’i shërbente ngritjes së ushtrisë shqiptare edhe gjatë misionit holandez në kohën e Princit Wilhelm Wied, kur Mbretëresha e Holandës, Wilhelmina, dërgoi dhjetëra oficerë holandezë për të ndihmuar në ngritjen e ushtrisë shqiptare”.
“Një kapitull shumë i lavdishëm i forcave ushtarake të shtetit shqiptar, është përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo duke ndihmuar me trajnime dhe armë”.
“Më 2008, Forcat e Armatosura të Shqipërisë u anëtarësuan në NATO duke e rreshtuar Shqipërinë në mesin e vendeve aleate të Perëndimit. Sot, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë partnerja më e natyrshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë të dyja këto forca ushtarake, mbrojnë hapësirën e jetesës dhe sigurinë në regjion”.
“Urime dita e Forcave të Armatosura të Shqipërisë! Urime homologut tim, Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi dhe urime të gjithë pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Bashkë jemi më të fuqishëm dhe bëhemi të pathyeshëm!”, ka shkruar Maqedonci në “Facebook”.