Maqedonci priti në takim lamtumirës atasheun ushtarak të Republikës Federale të Gjermanisë
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim lamtumirës atasheun ushtarak të Republikës Federale të Gjermanisë, nënkolonel Oliver Palkowitsch.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë këtij takimi, ministri Maqedonci ka vlerësuar lart shërbimin dhe kontributin e nënkolonel Palkowitsch në realizimin e planit bilateral me Forcat e Armatosura të Gjermanisë, mbështetjen për avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tij të përkushtuar, ministri e ka nderuar nënkolonelin me një certifikatë falënderimi.
Ministri Maqedonci i ka uruar nënkolonel Palkowitsch suksese në detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohjen e institucioneve të Kosovës për kontributin e dhënë.
Gjithashtu, ai i ka uruar mirëseardhje dhe suksese në detyrë pasuesit të tij, nënkolonel Marc Abendroth, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Gjermaninë.