Maqedonci, zyrtares së NATO-s: Vendosja e ushtrisë serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar shefen e operacioneve aktuale, divizioni për operacione i shtabit të përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.
Maqedonci ka theksuar se Viehen e ka informuar për zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen
“Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, ka shkruar Maqedonci në “Facebook”.
Ai ka nënvizuar që do të vazhdojnë me përkushtim të koordinohen e të bashkëpunojnë gushtë si ministri me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).
“Ritheksova faktin se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”.
“Trajnimet e përbashkëta me forcat aleate, ngritja e kapaciteteve të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim, investimet në personel e pajisje janë hapat që kemi ndërmarr në përmbushjen e synimeve tona”.
“Nga ana e saj znj. Viehe shprehu vlerësim të lartë për profesionalizmin e treguar nga ana e Policisë së Kosovës në menaxhimin e sulmit të 24 shtatorit, e po ashtu theksoi se NATO ka rikonfimuar mbështetjen për KFOR-in dhe Kosovën”, ka shkruar Maqedonci.