Maqedoni e Veriut: 974 të infektuar, 45 të vdekur nga koronavirusi
Në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 974 numri i të infektuarve me koronavirus ndërsa i viktimave në 45. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë regjistruar 66 raste të reja me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Sipas shtrirjes gjeografike numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Kumanovë (27) dhe në Shkup (10) ndërsa në nëntë qytete tjera është regjistruar numër më i vogël i të infektuarve.
Gjatë 24 orëve janë realizuar 500 teste ndërsa numri i përgjithshëm i tyre ka arritur në 9,762.
Viktima e re në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë është një 76-vjeçare nga Shkupi, e cila ka ndërruar jetë para dy ditëve dhe që të mërkurën është diagnostikuar me COVID-19.
Drejtuesit e qeverisë dhe të pushtetit lokal në Kumanovë, qytetin me më shumë të infektuar (236) kanë shkëmbyer mendime të kundërta nëse duhet ose jo që ky qytet të vendoset në karantinë shtetërore.
“Kumanova duke llogaritur numrin e banorëve, ka numrin më të madh të personave të infektuar me COVID-19 dhe është më se e nevojshme që të veprohet në mënyrë më restriktive dhe të parandalojmë rritjen e numrit të personave të infektuar”, ka deklaruar kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, duke kërkuar izolim të plotë sikur në rastin me qytetin e Dibrës.
Zyrtarë qeveritarë thonë se për momentin nuk ka nevojë për masa të rrepta, por se nëse komisioni shëndetësor në luftë me panemidinë vendos se ka nevojë për karantinë, atëherë qeveria do të respektojë një masë të tillë.
“Unë nuk jam mbështetës i madh i masave rigoroze pasi krahasimi mes Dibrës dhe Kumanovës nuk mund të bëhet sepse Dibra është qytet shumë më i vogël. Por, do të diskutojmë edhe për këto çështje, për mbyllje të tërësishme 24 orëshe. Nëse këtë masa do ta rekomandojnë epidemiologët dhe profesionistët, do ta sjellim edhe këtë masë”, ka deklaruar kryeministri, Oliveri Spasovski.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka deklaruar se institucionet deri tani me sukses po e menaxhojnë situatën, por duke paralajmëruar edhe shumë punë deri në normalizimin e saj.
“Deri më tani, ne kemi menaxhuar me sukses rrjedhën e epidemisë. Me rritjen lineare të pacientëve pozitivë të konfirmuar rishtazi me Covid-19, ne jemi në gjendje të amortizojmë sistemin shëndetësor dhe të rrisim kapacitetet e objekteve spitalore dhe stafin mjekësor”, ka deklaruar Filipçe.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski të enjten me kërkesë të qeverisë pritet të zgjasë edhe për një muaj gjendjen e jashtëzakonshme në këtë vend./REL