Maqedoni e Veriut: Opozita nuk arriti t’i sigurojë 61 deputetë, nuk votohet për mosbesimin e Qeverisë
Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare janë larguar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rreth orës 22:00 të ditës së enjte (11 nëntor) pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota për të votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë së kryeministrit, Zoran Zaev.
Gjatë ditës kishte pasur disa tentime për nisjen e seancës për ajo është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut numëron 120 deputetë dhe për tu mbajtur seanca nevojitet prania në sallë e 61 deputetëve, aq sa nevojiten edhe për mocionin e mosbesimit të qeverisë.
VMRO DPMNE-ja dhe partitë shqiptare në opozitë kanë akuzuar pushtetin për siç kanë thënë “rrëmbimin Kastriot Rexhepit, deputetit të Lëvizjes Besa”, gjë që edhe i pamundësuar opozitës së ketë 61 vota të deputetëve për mbajtjen e seancës, e cila ndërkohë është bojkotuar nga partitë në pushtet, për të pamundësuar sigurimin e votave të nevojshme.
Nikollovski: Ditë e errët për demokracinë
Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Nikollovski tha se Maqedonia e Veriut të enjten ka shënuar një nga ditët më të errëta të demokracisë, pasi pakica jo vetëm që shkeli vullnetin e shumicës por edhe rrëmbeu një deputet për të pamundësuar mocionin e mosbesimit.
“Sot në Maqedoni është nëpërkëmbur demokracia. Sot pamë se si regjimi është transformuar një regjimin më kriminal të parë ndonjëherë në Evropë dhe për këtë të gjithë do të mbajnë përgjegjësi, më shpejt sesa që ata mendojnë. Një deputet u rrëmbye, telefonat celularë u konfiskuan nga ligjvënësit dhe të njëjtit u mbyllën në parlament që të mos kenë asnjë kontakt me jashtë dhe në këtë mënyrë ky pushtet në mënyrën më brutale shkeli mbi demokracinë” tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, shkruan rel.
VMRO-ja kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare
Ai tha se pas ngjarjeve të ditës së enjte, Maqedonia e Veriut ka hyrë në krizë të thellë politike dhe të sigurisë andaj sipas tij zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për kthimin e stabilitetit në vend. Partitë qeverisëse sipas tij kanë humbur pushteti meqë siç tha, ato kanë 59 deputet, 60 opozita dhe një deputet mbetet i rrëmbyer.
“Zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e shpejta janë zgjidhja për dalje nga kriza politike, e sigurisë, ekonomike dhe energjetike. Pushteti ka humbur shumicën, ka vetëm se 59 deputetë, një kemi të rrëmbyer të cilin besojmë se do ta lirojnë tani pas largimit tonë nga Kuvendit apo do të presin që këtë ta bëjnë pas mesnate kur skadon afati i mocionit”, ka deklaruar Nikollovski.
Ndërkohë, deputeti i partisë e “E Majta”, Dimitar Apasiev tha se vendi ndodhet para një destabilizimi pasi siç tha Qeveria nuk po tregohet e gatshme që në mënyra paqësore të dorëzojë pushtetin”
Apasiev: Situata po shkon drejt radikalizimit
“Gjendja është alarmante. Është paralizuar demokracia parlamentare. Është një precedent që nuk ka ndodhur askund tjetër. Kemi një deputet të rrëmbyer. Ju të gjithë e keni parë videon në të cilën deputeti dukej sikur të të zënit rob nga organizatat terroriste para ekzekutimit. Gjendja është e rrezikshme dhe qytetarët këtë duhet ta shohin me seriozitet. Mendoj se ky pushtet nuk bie me dëshirë, prandaj edhe nevojitet radikalizim i gjendjes politike, të ketë protesta, bllokim të Kuvendit, e masa tjera”, ka deklaruar Apasiev.
Por, Jovan Mitreski nga Lidhja Social Demokrate hodhi poshtë pretendimet e opozitës, e cila sipas tij, dështuar në sigurimin e numrave për rrëzimin e qeverisë
Mitreski: Opozita nuk i ka votat për mosbesimin e qeverisë
“Gjithçka që po ndodhë në Kuvend është dëshmi për disfatën e Mickovskit në Kuvend. Ai gënjeu se ka shumicën, përkundër kësaj shumica aktuale parlamentare do të rritet. Për këtë dështim ai nuk duhet t’ia hedh fajin tjerëve. Ai vetëm për të ardhur në pushtet u bashku me ata që janë anti NATO, anti BE-së. Ai nuk ka koncept për shtetin dhe të ardhmen e qytetarët. Populli është gënjyer. Ai nuk ka shumicë andaj edhe duhet të dalë dhe të kërkoj falje para qytetarëve”, ka deklaruar Mitreski duke mohuar informacionet se ka pasur kërcënime apo presione ndaj deputetit të lëvizjes Besa për të mos u paraqitur në seancën e Kuvendit.
Ndërkohë, deputeti i lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, i cili ka bllokuar punimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, është paraqitur me një video regjistrim në rrjetin social Facebook duke theksuar se ai nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit pasi nuk dëshironte të jetë anën e atyre, që sipas tij janë kundër NATO-së dhe BE-së.
Rexhepi: Jam nën anën e shqiptarëve, BE-së dhe NATO-së
“Siguria dhe stabiliteti i vendit, paqja dhe mirëqenia e popullit tonë, definitivisht duhet të jetë gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne kryetari Billall Kasami dhe të tjerët nuk kanë nevojë të shqetësohen për mua. Jam në vend të sigurt, jam në anën e duhur, jam me shqiptarët dhe gjithë qytetarët e vendit të cilët dëshirojnë paqe, liri, demokraci. Jam me BE-në, NATO-n dhe jo me qarqet antishqiptare. Këtë e them me ndërgjegje të plotë dhe sapo te kalojnë disa rreziqe nga kërcënimet e disa individëve do të paraqitem për të sqaruar të gjithë”, ka shkruar Rexhepi.
Paraprakisht, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se kjo që po ndodhë në Kuvend, me kërcënime e metoda tjera antidemokratike, janë sipas tij metoda të papranueshme të shekujve të kaluar.
Mickovski ngriti dyshime nëse edhe shumica aktuale është formuar përmes kërcënimeve e presioneve të ndryshme ndaj deputetëve.
Mickoski: Pushteti po përdorë metoda të dhunës
“Ajo që po ndodh në Parlament janë metoda të shekullit të 16-të dhe 17-të që më shkaktojnë një ndjenjë të përzier. Nuk e dimë nëse është rrëmbyer apo është larguar vullnetarisht. Ai duhet të kishte ardhur në Parlament dhe të kishte votuar kundër. Do të kishte shpëtuar një pjesë të madhe të turpit. Ajo që është e qartë është se qeveria është e mbështjellë me baltë politike. Ky është një turp i madh për demokracinë. Nëse kështu praktikohet politika tek ne, do të mendoj seriozisht nëse do të merrem me politikë. Qeveria ka metoda të tjera dhe nuk më çudit që bëjnë një mazhorancë më të madhe se kjo. I kërkoj falje qytetarëve që duhet ta shikojnë këtë cirk”, tha Mickoski.
Kasami: Dyshoj se deputeti Rexhepi është ndaluar
Më herët kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një prononcim për mediat ka hedhur dyshime mbi rrëmbimin e deputetit Kastriot Rexhepi.
“Nuk kam asnjë komunikim me deputetin. Kam dyshime të bazuara se deputeti mund të jetë i ndaluar përkundër vullnetit të tij. Ai pa vullnet e ka këtë qëndrim. Mbetem pas këtij qëndrimi gjithnjë derisa ai vetë nuk e pohon gojarisht. Nuk kemi informata se ku gjendet. Herën e fundit kemi komunikuar gjatë ditës së djeshme, dhe nuk kam pasur ndonjë sinjal që ai do të vepronte ndryshe”, ka thënë Kasami duke shtuar se në rast se do të konfirmohet ky qëndrim i Rexhepit, do të mblidhen organet e partisë dhe do të marrin vendim lidhur me përjashtimin ose jo të Rexhepit nga partia.
Para nisjes së seancës të gjitha partitë opozitare besonin se i kishin numrat e nevojshëm për mocionin e mosbesimit.
“Të gjitha subjektet politike janë deklaruar për pozicionet e tyre dhe ne presim që konform nënshkrimeve dhe deklaratave që kjo qeveri të bie”, deklaroi Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.
Partitë në pushtet besonin në dështimin e mocionit
Por, partitë e shumicës pohuan të kundërtën se shumica është në anën e tyre dhe se e gjitha procedura do të jetë demokratike.
Partitë e koalicionit qeverisës, të mërkurën në mbrëmje kishin mbajtur një mbledhje konsultuese, detaje nga e cila nuk janë dhënë, por mediat lokale njoftojnë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në këtë takim është shprehur optimist se “Qeveria nuk do të bie të enjten në votimin për mosbesimin në kuvend, pasi që shumica është me forcat progresive në Kuvend”.
Çfarë parasheh Kushtetuta për mocionin?
Sipas Kushtetutës, votëbesimi ndaj Qeverisë duhet të përfundojë në të njëjtën ditë. Nëse opozita siguron 61 vota kundër kabinetit të kryeministrit (Zaevit), atëherë qeveria është e detyruar të japë dorëheqje brenda 24 orëve, pas çka fillon afati dhjetëditor për presidentin e shtetit (në këtë rast Stevo Pendarovski), që t’ua japë mandatin për formimin e qeverisë së re partive që do të konfirmojë se kanë të paktën 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, nëse opozita nuk arrin të rrëzojë Qeverinë, atëherë në 90 ditët e ardhshme nuk do të mund të paraqesë mocion të ri mosbesimi ndaj Qeverisë, nëse së paku 61 deputetë nuk paraqesin iniciativë.
Qeverisja e Zoran Zaevit
Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016.
Gjatë këtij mandati, Zaevi mori përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues në “Maqedoni e Veriut”, e cila deri para Marrëveshjes së Prespës së arritur më 17 qershor 2018, quhej “Republika e Maqedonisë”.
Pavarësisht kritikave të shumta në opinion lidhur me këtë marrëveshje, si dhe negociatave më pas me Bullgarinë për Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që po ashtu konsiderohet si e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, Zoran Zaev, fitoi edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, që u mbajtën në qershor të vitit 2020.