Maqedoni, shënohet 27-vjetori i pavarësisë, pritet ardhja e Merkelit
Ushtria e Republikës së Maqedonisë e ka shënuar 27-vjetorin e Pavarësisë së vendit me një breshëri nderi artilerie të rëndë nga batalioni përkatës në kazermën “Ilinden” në Shkup, mbrëmjen e 7 shtatorit.
Ceremonia qendrore për Pavarësinë e Maqedonisë, gjithsesi do të mbahet mbrëmjen e kësaj të shtune përpara godinës së qeverisë maqedonase, ku pritet të flasë edhe kryeministri Zoran Zaev.
Festimi i 27-vjetorit të Pavarësisë përkon edhe me vizitën e Kancelares gjermane, Angela Merkel, e fundit mes krerëve të vendeve perëndimore që viziton Shkupin gjatë kësaj jave, pas ndalesave të mëparshme të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe Kancelarit austriak, Sebastian Kurz.
Merkel do të takohet me kryeministrin Zaev për t’i bërë të ditur mbështetjen e Gjermanisë për referendumin e 30 shtatorit për zgjidhjen e çështjes së emrit, që do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, pas një ngërçi dhjetëravjeçar që detyronte Greqinë të vendoste veton.
8 shtatori shënon përvjetorin e 27 të referendumit të suksesshëm për pavarësinë e Maqedonisë, ku mbi 95 për qind e qytetarëve votuan pro një Republike të pavarur dhe “me të drejta për të hyrë në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
Referendumin e parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991.