Maqedonia dhe Greqia kanë nënshkruar sot marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit.
Dokumenti që parasheh emrin, “Maqedonia e Veriut”, u nënshkrua në Prespë, në pjesën e Greqisë nga Ministrat e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, në prani të kryeministrave, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras.
Kryeministri grek marrëveshjen e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme për të ardhmen e dy vendeve.
“Kjo është një marreveshje patriotike mes dy popujve. Me këtë zgjidhet një kontest shumëvjecar, forcon besimin mes dy vendeve dhe popujve…marrëveshja do të hap edhe një faqe të re në zhvillimin ekonomik mes dy shteteve”, ka deklaruar kryeministri, Aleksis Tsipras.
Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në fjalimin e tij marrëveshjen e ka vlerësuar si historike dhe shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane.
“Ndjenja ime sot është se me nënshkrimin e marrëveshjes po zhvendosim edhe malet, sot po i japim fund një kontesti, dallimeve shumëvjecare që kishin ngritur mure mes dy shteteve…kemi humbur shumë, por ne pas shumë përpjekjesh arritëm marrëveshje të dinjiteshme për ndërtimin e miqësisë…e kaluara na ka mësuar shumë, duhet të mësojmë nga e kaluara dhe jo ta përsërisim”, ka deklaruar Zaev.