Maqedonia e Veriut arrin marrëveshje me ‘Pfizer’-in, siguron 800 mijë vaksina
Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje me kompaninë “Pfizer” për blerjen e 800 mijë vaksinave kundër Covid-19.
Por fillimisht, ky vend do të ketë mundësi të marrë vetëm 6 mijë vaksina dhe këto pritet të mbërrijnë në muajin shkurt.
“Euronews Albania” ka raportuar se marrëveshja është pritur me një dëshpërim të lartë nga qytetarët pasi sasia e parë përmban shumë pak doza, ku do të kenë mundësi të vaksinohen vetëm 3 mijë persona.
Të parët që do të vaksinohen janë punonjësit e shëndetësisë, prej të cilëve 70 për qind janë shprehur të gatshëm për t’u vaksinuar.
Maqedonia e Veriut planifikon që deri në fund të vitit 2021 të ketë vaksinuar 1.2 milion qytetarë, transmeton Klan Kosova.
Përveç blerjes së 800 mijë dozave tek Pfizer, Maqedonia e Veriut pret 800 mijë vaksina përmes sistemit “COVAX”.
Marrëveshja e arritur me “Pfizer”-in nuk është bërë publike për shkak se kompania ka kërkuar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut të mbetet sekret.