Maqedonia e Veriut bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s
27 mars 2020
| 18:19
Maqedonia e Veriut, të premten, është bërë anëtarja më e re e NATO-s.
Aleatët e NATO-s e kanë nënshkruar Protokollin e Pranimit të saj në shkurt të vitit 2019 dhe pastaj të 29 parlamentet kombëtare kanë votuar për të ratifikuar anëtarësimin.
Duke folur të premten në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se “Maqedonia e Veriut është tani pjesë e familjes së NATO-s, një familjeje prej 30 anëtarësh dhe gati një miliard njerëzish”.
“Pa marrë parasysh sfidat me të cilat përballemi, ne të gjithë jemi më të fuqishëm dhe më të sigurt së bashku”, tha Stoltenberg.
Ceremonia e ngritjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut është planifikuar të zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel, më 30 mars./REL