Maqedonia e Veriut formon komision për veprimet e gjykatës në rastin e Blerim Ramadanit
Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut sot në një mbledhje emergjente ka vendosur të formojë një komision që do t’i hetojë vendimet e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit në lidhje me rastin e Blerim Ramadanit, ish-ushtarit të UÇK-së, i cili është arratisur dje nga arresti shtepiak.
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, ka treguar arsyet e formimit të këtij komisionit.
“Unë e konsideroj të nevojshme si person i parë i Këshillit Gjyqësor që të formohet një komision dhe të konstatohet sa më parë gjendja faktike lidhur me këtë dhe të dalim me të dhëna konkrete para opinionit. Diçka po ndodhte. Gjykata ka faj, nuk ka faj dhe mos paragjykojmë. Reagimi i Këshillit Gjyqësor në këtë moment, sipas kompetencës së tij, është të hetojë situatën”, ka thënë Dameva, raporton “Alsat M”.
Komisioni përbëhet nga koordinatori i Gjykatës Themelore Penale Shkup, gjyqtari Aleksandar Kambovski, nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli dhe anëtarja e Këshillit Gjyqësor Pavlina Cërvenkovska, ndërsa Dameva shtoi se komisioni do të përgadisë një raport ku mbi të cilin do të diskutohet dhe do të vendos KGj-ja.
“Pas konstatimit të gjendjes detyrohet Komisioni të përgatisë raport të cilin do ta dorëzojë në Këshillin Gjyqësor dhe për të cilin Këshilli Gjyqësor më tutje do të diskutojë dhe vendosë”, ka deklaruar Dameva.
Blerim Ramadani është arrestar në pikën kufitare të Jazhincës, me fletëarrest ndërkombëtar të Interpolit të lëshuar nga Serbia. Ai është dërguar në 30 ditë paraburgimë ekstradues, ku më pas masa ndaluese i ishte ndryshuar në “arrest shtepiak”, nga ku edhe u arratisë.