Maqedonia e Veriut i njeh patentëshoferët e Kosovës
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka ratifikuar marrëveshjen me Republikën e Kosovës për njohjen reciproke të lejeve për vozitje, bazuar në marrëveshjen e arritur në mes të dy shteteve më 28 janar 2019.
“Me qëllim përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor në territoret e shteteve nënshkruese të marrëveshjes, dy palët, në mënyrë reciproke, i njohin lejet e vozitjes, të lëshuara në territoret e shteteve të tyre në bazë të qëndrimit të rregullt të përcaktuar nga institucionet përkatëse”, thuhet mes tjerash në nenet e marrëveshjes së ratifikuar.
Marrëveshja është mbështetur nga të gjithë deputetët, përfshirë edhe ata të partisë opozitare VMRO- DPMNE, por vërejtja e tyre ka pasur të bëjë me zvarritjen e procedurave për nisjen e punimeve ndërtimore për autostradën Shkup-Bllacë, që lidhë Maqedoninë e Veriut me Republikën e Kosovës, shkruan “Alsat-M”.
Deputeti Ilija Dimovski ka thënë se janë të pakuptimta vonesat e autoriteteve kur kihet parasysh fakti se pala kosovare e ka përfunduar pjesën e saj të autostradës Prishtinë-Shkup.
Me këtë, sipas deputetit të opozitës maqedonase, Qeveria ka dështuar në premtimin e saj për ndërtimin e infrastrukturës me shtetin fqinj.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është njoftuar se projekti është në përfundim e sipër, ndërsa punimet pritet të nisin gjatë këtij viti.