Maqedonia e Veriut – Kosova, për kë bëjnë tifo Talat Xhaferi dhe deputetët e tjerë shqiptarë?
Nesër luhet ndeshja e Play off`it të Ligës së Kombeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e vlefshme për kualifikim në kampionatin europian që do të luhet vitin e ardhshëm.
Kjo ndeshje për dy kombëtaret është praktikisht “të jesh apo të mos jesh” sepse vendosë fatin për pjesëmarrje në evenimentin më të madh europian.
Agjencia e Lajmeve Zhurnal sot pyeti disa nga deputetët shqiptarë se për cilin reprezentacion do të bëjnë tifo nesër mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Mes tyre përgjigje dha edhe i pari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Më poshtë mund ti lexoni përgjigjet e deputetëve dhënë për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal:
“Kryetari i Parlamentit bën tifo për futbollin”, shprehet kryeparalamentari, Talat Xhaferi.
“Dihet, shpirtërisht. Për Kosovën, ajo është bindja ime personale”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes BESA.
“Nuk shikojmë futboll dhe me siguri që nesër nuk do e shikoj ndeshjen”, tha deputeti i BDI-së, Bajram Rexhepi.
“Këtu nuk flitet për shtetësinë, por për tifozërinë. Dhe si tifoz unë kisha dashur të fiton Kosova”, tha deputeti i Alternativës, Zejdi Rexhepi.
“Për Maqedoninë e Veriut”, thotë Fisnike Bekteshi, deputete e BDI-së.
“Do të jem për një lojë të mirë dhe aktivitetin sportiv si zbavitje dhe afrim ndaj qytetarëve e jo burim i ndarjeve dhe konflikteve mes tifo grupeve”, tha për Zhurnal, Bastri Bajrami, deputet i Lëvizjes BESA.
“Le të fiton më i miri”, shprehet deputeti i ASH-së, Elmi Aziri.
“Gjithësesi bëj tifo për Maqedoninë e Veriut”, thotë Muhamed Zekiri, deputet i LSDM-së.