Maqedonia e Veriut regjistron rastin e parë me variantin indian të Covidit
Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rasti i parë me variantin indian të koronavirusit.
Sipas autoriteteve shëndetësore, rasti është zbuluar te një shtetas që ishte kthyer nga Iraku, ku paraprakisht kishte qëndruar në një spital për dhjetë ditë.
Autoritetet atje kanë bërë thirrje për qetësi, meqë, sipas tyre, “bëhet fjalë për një rast të izoluar, që nuk ka rrezik për shëndetin publik, pasi personi i infektuar është i izoluar maksimalisht”.
“Menjëherë pasi ka arritur në Maqedoninë e Veriut, pacienti me veturë sanitare është transferuar në spital privat, ku edhe po trajtohet. Gjendja e pacientit është e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezik për përhapjen e këtij lloji të virusit”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varianti indian i koronavirusit është më i transmetushëm se variantet e tjera.
Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në 24 orët e fundit ka regjistruar vetëm një rast me koronavirus, që është shifra më e ulët që nga paraqitja e rasteve të para në Maqedoninë e Veriut, pranverën e vitit të kaluar.
Rasti i vetëm pozitiv ka rezultuar pas testimit të 1 576 mostrave.
Sipas raportit, të hënën është konfirmuar tri viktima nga koronavirusi dhe 204 të shëruar.
Numri i rasteve aktive në Maqedoninë e Veriut aktualisht është 464.
Ministri i Shëndetësisë në këtë vend, Venko Filipçe, ka thënë se masat kufizuese do të vazhdojnë deri më 15 qershor.