Maqedonia e Veriut regjistron shtatë viktima të reja nga Covid-19
Maqedonia e Veriut ka regjistruar shtatë persona të vdekur dhe 89 të infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit. Kjo njëherësh është shifra më e lartë e raportuar nga mesi i muajit prill, kur në këtë vend ishte konsideruar piku i sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë: nga dy në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë si dhe një tjetër në Strugë.
Marrë parasysh shifrat e fundit, numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi, në territorin maqedonas, ka arritur në 140.
Sa u përket të infektuarve, numri më i madh është regjistruar në Shkup, që vazhdon të mbetet vatër e infektimit. Nga 727 motrat e testuara, në Shkup pozitivë kanë rezultuar 35 persona. Zona me rrezik të lartë paraqiten edhe qytetet e Shtipit me 27 të infektuar, Kumanova me 12 të infektuar dhe Tetova me 7 raste. Qytetet tjera janë kryesisht me nga një të infektuar.
Komisioni i Sëmundjeve Infektive ka diskutuar mundësinë e shtrëngimit të masave pas të dhënave për rritjen e numrit të të infektuarve, raporton “Rel”.
Ministria e Administratës Publike ka njoftuar se për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, nga puna ka liruar personat e moshuar si dhe të sëmurët kronikë.
Në vetizolim janë futur, zëvendëskryeministrja, Milla Carevski, ministri i Administratës, Damjan Mançevski dhe disa zyrtarë tjerë të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), të cilët kishin kontakte me nënkryetarin e kësaj partie, Muhamed Zeqiri.
Ky i fundit është infektuar me koronavirus.
Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut, me koronavirus janë regjistruar 2,315 persona.
Prej tyre, 1 569 janë shëruar ndërsa 606 mbeten aktivë.