Maqedonia e Veriut riatdheson 23 shtetas nga Siria dhe Iraku

18 korrik 2021 | 17:23

Maqedonia e Veriut ka riatdhesuar 23 shtetas të saj nga zonat e konfliktit n; Siri dhe Irak. Katër prej tyre kanë marrë pjesë në luftime përkrah grupit militant, Shteti Islamik (IS), ndërsa personat e tjerë janë pesë gra dhe 14 fëmijë.

Burrat, për të cilët ka prova se kanë marrë pjesë në luftime, u dërguan menjëherë në burg, ndërsa gratë dhe fëmijët janë futur në një karantinë 14-ditore. Nëse nuk provohet se kanë marrë pjesë në luftime, institucionet do të merren me risocializimin e tyre.

“Kundër katër luftëtarëve të huaj terroristë, pas provave të siguruar nga Ministria e Brendshme, Byroja e Sigurisë Publike dhe në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, janë paraqitur padi penale. Të tjerë nëse dëshmohet se nuk janë përfshirë në veprime që i nënshtrohen përgjegjësisë penale-juridike, do të fillojë procesi i rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit të tyre në komunitet”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Kampi al-Hol në Siri, ku, sipas Institutit për Siguri dhe Integrim në Prishtinë, kanë qëndruar edhe shtetas të Kosovës.

Operacioni u krye me ndihmën e Ambasadës amerikane në Shkup, bazuar në detyrimet e vendit sipas ligjit ndërkombëtar, standardeve dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në zonat e luftimeve në Siri dhe Irak edhe më parë janë riatdhesuar shtetas të Maqedonisë së Veriut. Në gusht 2018 ishin kthyer shtatë persona, në shkurt të vitit të kaluar një person dhe në mars të vitit të kaluar u kthyen tri gra.

Në mars të vitit 2019, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me 45 vjet burgim shtatë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë marrë pjesë në formacionet paraushtarake të IS-it.

Të gjithë të dënuarit gjatë procesit gjyqësor kishin pranuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në formacione paraushtarake dhe para-policore dhe organizata terroriste”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak, si pjesëtarë të forcave paraushtarake. Deri tani rreth 100 prej tyre janë kthyer në shtet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi italian po përballet me probleme të shumta. Në ditët…