Maqedonia e Veriut rihap ambasadën në kryeqytetin e Ukrainës

29 maj 2022 | 14:34

Maqedonia e Veriut rihap ambasadën e saj në Kiev, e cila ishte mbyllur pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

Rihapja e ambasadës është bërë nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili ka zhvilluar një vizitë në kryeqytetin e Ukrainës, ku është pritur nga homologu i tij, Dmytro Kuleba.

Dy ministrat kanë diskutuar mbi agresionin rus ndaj Ukrainës, për pasojat ndaj shtetit dhe popullit ukrainas dhe më gjerë.

Osmani ka vizituar edhe qytetin Irpin, pranë Kievit, ku pa shkatërrimet e shumta si pasojë e bombardimeve të forcave ruse. Ai ka shprehur solidaritetin e vendit të tij me popullin e Ukrainës.

“liria e Maqedonisë së Veriut dhe e çdo vendi tjetër evropian, sot mbrohet në Ukrainë, prandaj Ukraina meriton ndihmë, mbështetje dhe respekt”, ka thënë Osmani.

Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë iu është bashkuar sanksioneve kundër Moskës.

Kuleba dhe Osmani kanë biseduar edhe për perspektivën evropiane të të dy vendeve duke theksuar nevojën që ky proces të marrë vëmendjen e shtuar pas zhvillimeve të fundit.

Ministri i jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, ka  falënderuar Maqedoninë e Veriut “për qëndrimin parimor dhe aktiv që nga fillimi duke i siguruar ndihmë Ukrainës”.

“Nëse Bashkimi Evropian vërtet kujdeset për të ardhmen dhe mirëqenien e Evropës, atëherë e vetmja zgjidhje për këtë do të ishte zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Lindjes, për t’u bashkuar me vendet të cilat i ndajnë vlerat e përbashkëta me BE-në”, ka thënë ai. /VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak ditë më parë Tirana u mbush me të huaj,…