Maqedonia e Veriut voton për presidentin e ri
Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet rrethi i dytë zgjedhjeve presidenciale, ku në garë janë dy kandidatë, Stevo Pendarovski, i partive në pushtet të udhëhequr nga social-demokrati, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DPMNE-së, që drejtohet nga Hristijan Mickovski.
Votimet janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtën e votës e kanë rreth 1.8 milion persona të cilët mund ta realizojnë në 3512 vendvotime.
Zgjedhjet do të jenë të vlefshme nëse në votime dalin mbi 40 për qind e zgjedhësve.
Në rast të dështimit të zgjedhjeve, postin e presidentit të përkohshëm do ta ushtronte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ndërsa Qeveria nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjedhja e presidentit të ri të kalojë në Kuvend, por pa përjashtuar edhe mundësinë e heqjes së pragut zgjedhor dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.
Në rrethin e parë, më 21 prill, në votime kanë dalë 41.67 për qind ndërsa Steve Pendarovski ka fituar me një epërsi të ngushtë prej rreth 4200 vota, respektivisht 322.58 vota apo 42,81 për qind të votave ndërsa kundërkandiatja e tij Gordana Siljanovska-Davkova 318.341 vota apo 42,25 për qind.
Në garë ishte edhe një kandidat shqiptar, Blerim Reka, që kishte fituar rreth 80 mijë vota. Pikërisht votat e tij, konsiderohen si vendimtare si për arritjen e pragut zgjedhor po ashtu edhe për fitoren e ndonjërit nga kandidatët maqedonas, të cilët edhe fushatën në rrethin e dytë e kanë përqendruar në tërheqjen e votuesve shqiptar.