Maqedonia, emri i ri: Nocioni gjeografik më i mirë se historik
Lisen Bashkurti
Pas një bllokimi të gjatë nga Greqia të procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE për shkak të debatit për emrin duket se zgjidhja erdhi. Negociatat e shumta e mjaft kontroverse përfunduan me emrin “Republika e Maqedonisë Veriore”. Është një përcaktim me nocion etnogjeografik.
Kalvari i debateve duket se ka qenë rreth nocionit që do të formulohej emri i ri. Ka pasur dy grupe propozimesh: një grup emrash me nocione thjeshtë historike dhe një grup emrash me nocione thjesht gjeografike. Emrat me nocione thjesht historike duket se kanë bartur ngarkesa etno-historike-kulturore me shumë ambiguitete, të papranueshme kryesisht nga pala greke. Emrat me nocione thjesht gjeografike kanë zbehur deri në fshirje identitetin etno-historik-kulturor dhe si të tillë janë hedhur poshtë gjatë bisedimeve nga pala maqedonase.
Zgjidhja erdhi si rezultat i kompromisit midis dy grupe emrash, të atyre historikë dhe gjeografikë së bashku. Ky emër kompromisi duket se kënaqë më së shumti të dyja palët: pala maqedonase ndjen të realizuar identitetin historik-kulturor (në pjesën e emrit ‘e Maqedonisë’), ndërsa pala greke ndihet e kënaqur sepse ka arritur ta ruajë identitetin antik të Maqedonisë, duke e lokalizuar gjeografikisht (në pjesën e emrit ‘Veriore’). Të dyja palët kanë lëshuar diçka nga vetja për t’ia dhënë palës tjetër, sikundër kanë fituar diçka për vete duke ia kufizuar palës tjetër. Zgjidhja duket të jetë e arsyeshme. Tipike formulë negociatash, ku asnjëra palë nuk fiton gjithçka, por edhe nuk humbet gjithçka. Është një rezultat win-win. Ose një fitore pa të humbur.
Edhe nga përvoja historike e diskurseve politiko-diplomatike për emrat e shteteve praktika e përcaktimeve etnike, e mpleksur me nocione gjeografike, ka qenë më e gjendur, më e pranueshme dhe, si rrjedhojë, më e qëndrueshme. Kështu kemi emrat e Koresë së Veriut, të Timorit Lindor etj., që janë përdorur në rrethana specifike, por në mënyrë të qëndrueshme.
Pas arritjes së kompromisit për emrin, Republikës së Maqedonisë Veriore i hapet rruga për të hedhur dy hapa të mëdhenj drejt integrimeve euroatlantike: anëtarësimit të plotë në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Në të dy këto dimensione të integrimit avancimi i Republikës së Maqedonisë Veriore është me dobi të madhe për vendin dhe për mbarë Ballkanin Perëndimor.