Maqedonia gjen zgjidhje për dalje nga kriza, do të blejë 3 milionë ton qymyr nga Kosova

13 dhjetor 2021 | 11:38

Maqedonia e Veriut po planifikon të blejë tre milionë ton qymyr nga Kosova për të furnizuar termocentralet e saj, pasi mungesa e prodhimit vendas dhe rritja e çmimeve të energjisë në Europë e bëjnë atë të përballet me një krizë energjetike.

Qymyri nga Kosova po shihet si shpëtim për të tejkaluar krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut. Ky shtet po planifikon të blejë tre milionë tonë qymyr nga Kosova për të furnizuar termocentralet e veta si mungesë e prodhimit të brendshëm dhe ngritjes së çmimeve.

Ministri i Ekonomisë i këtij shteti, Kreshnik Bekteshi, ka njoftuar të premten se zyrtarisht kanë nisur negociatat me Kosovën për importin e qymyrit nga Kosova.

Ai ka treguar se është takuar me ministren e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, dhe drejtorin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

“Për ta tejkaluar çdo krizë sigurisht se kërkohet bashkëpunim dhe me ministren Rizvanolli u dakorduam që bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm ta thellojmë edhe më shumë në të ardhmen dhe ta tejkalojmë sa më shpejtë edhe sfidën me krizën energjetike! Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e qymyrit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft verzion të Memorandumit për bashkëpunim! Shpresoj që pas shqyrtimit të të gjithë kapaciteteve dhe nevojave të të dyja vendeve të arrijmë deri te një marrëveshje konkrete me çka do të ndikojë drejtpërdrejt në tejkalimin e krizës energjetike në të dy vendet!”, ka deklaruar ai.

Maqedonia e Veriut e ka deklaruar krizën energjetike më 9 nëntor. Emergjenca shtetërore do të zgjasë deri në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa autoritetet kanë ngritur çmimin për 10 për qind.

Ndërkaq Kosova është ndër vendet më të pasura në botë me rezerva linjiti.

Kosova është vendi i dytë në botë për varësi nga qymyri për rrymë. Vendi shfrytëzon qymyrin për prodhimin e rreth 95 për qind të energjisë elektrike. Së fundmi, KEDS-i është ankuar për ngritje të lartë të çmimit të importit të rrymës në kohën kur shfrytëzimi është fokusuar për ngrohje gjatë dimrit.

Kurse, kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova ka arritur që ta evitojë krizën ekonomike falë kapaciteteve vendore për prodhim të energjisë. Megjithatë, kryeministri deklaroi se me zgjatjen e gjendjes së krizës dhe rritjes së konsumit gjatë stinës së dimrit, tejkalohen kapacitetet vendore dhe mundësitë financiare për të prodhuar rrymë.

Po ashtu, Kurti deklaroi se shpërputhja e çmimit të importit me çmimin e furnizimit është e paqëndrueshme nëse nuk merren masa.

“Deri më tash kemi arritur që të evitojmë efektet e kësaj krize falë kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë. Mirëpo zgjatja e gjendjes së krizës dhe rritja e konsumit sidomos gjatë muajve të dimrit, i tejkalon kapacitetet vendore dhe mundësitë financiare që ka sektori energjetik për të vazhduar përballjen me këtë krizë. Për shkak të çmimeve të larta të importit, ka përkeqësim të gjendjes së likuiditetit në këtë sektor dhe shpërputhja e madhe e çmimit të importit me çmimin e furnizimit poashtu është e paqëndrueshme nëse nuk merren masa.

Ai u ka bërë thirrje ministrave përgjegjës që të marrin masat dhe veprimet e nevojshme për të siguruar stabilitetin e furnizimin me energji elektrike.

“Ftoj ministrat që të marrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për të siguruar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike dhe që kjo të jetë e përballueshme për qytetarët tanë”.

Pavarësisht se Kosova varet në masë të madhe nga qymyri për energjinë elektrike, rritja e çmimeve të saj në Evropë ka prodhuar efektet e para në ekonominë e vendit. Fabrika e “Ferronikelit”, në të cilën zhvillojnë aktivitet mijëra të punësuar, pezulloi punën. Në një njoftim adresuar mediave, në këtë kompani kanë thënë se detyrohen ta ndërpresin përkohësisht prodhimin për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane.

Vetëm një shtet në botë ia kalon Kosovës për varësinë nga thëngjilli për energjinë elektrike. Bëhet fjalë për Botswanan në Afrikë, që mbi 99 për qind të furnizimit me energji elektrike burim e ka qymyrin. Ndërkaq, Kosova shfrytëzon qymyrin për prodhimin e rreth 95 për qind të rrymës elektrike në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një përleshje mes 100 persona ka ndodhur të shtunën rreth…