Maqedonia nisi eksportin e produkteve bujqësore për në Kosovë

06 gusht 2018 | 20:49

Maqedonia ka filluar eksportin e pemëve dhe perimeve në Kosovë. Të premten janë ngarkuar tetë kamionë me prodhime bujqësore, vetëm nga tregu i madh me shumicë në Shkup.

Tregtarët me shumicë pas bllokadës dy javore për shkak të doganave më të larta që i aplikoi dhe pastaj i shfuqizoi Prishtina, tani i fërkojnë duart. Ata thonë se kërkesa për pemë dhe perime është rritur në mënyrë drastike dhe çmimet janë rritur gjithashtu. Ndryshe nga dy javët e fundit, madje edhe në orët e pasdites kur tregu me shumicë ishte i mbushur me pemë dhe perime për të cilat nuk kishte blerës, këto dy ditë në mëngjes shiteshin kutitë e fundit.

Kosova ka aplikuar një mbrojtje doganore prej 30 për qind ndaj 21 produkteve bujqësore më 18 korrik. Javën e kaluar, me kërkesë të vendeve anëtare të CEFTA-s, ku Kosova është gjithashtu anëtare, fillimisht u shfuqizua dogana e 17 produkteve bujqësore, por mbeti për domate, speca, rrush, dardha, molla dhe manaferra që janë pjesë e produkteve që janë më të eksportuara nga Maqedonia.

Pjshka është rritur nga 20 në 25 denarë, rrushi nga 30 deri në 35, dhe dardha në shumicë shiten për 40 denarë. Megjithatë, tregtarët ankohen se bllokada ka shkaktuar dëme financiare dhe tani ata shpresojnë se nëpërmjet kërkesës eventuale në rritje, një pjesë e humbjes do të kompensohet. Nga Ministria e Bujqësisë ende po bëjnë përllogaritjet për dëmin e shkaktuar nga bllokada dy javore. “Ne do ti shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe opsionet në pjesën e dëmeve të pësuara nga fermerët tanë, qoftë përmes masave ndërhyrëse për shitjen e një pjese të produkteve për përpunim, masave që janë ekzistuese, d.m.th. rritjen e shumave vetë ose në drejtim të rritjes së subvencioneve për sipërfaqe”, deklaroi Ljupço Nikolovski, Ministër i Bujqësisë.  “kemi pasur një dalje të madhe të mallrave që dolën nga tregu. Ishin tetë tregtarë nga atje, secili prej tyre kishte nga një kamion, pra tetë kamionë, njëri mbeti bosh, nuk kishte mall për të. Prandaj, ne jemi shumë të kënaqur tani, çmimet janë rritur në mënyrë drastike”, ka deklaruar një tregtar për “AlsatM”./AlsatM

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë politike në Maqedoni kundërshtojnë mundësinë e ndarjes së Kosovës,…