Maqedonisë i duhet një president që pranohet nga të gjithë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se 2019-a është vit i vendimeve të mëdha dhe transformimit të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet ta arrijnë marrëveshjen përfundimtare.
“Viti 2019 me sa duket është vit i vendimeve të mëdha dhe transformimit të tërësishëm të Evropës Juglindore, nga një vatër e pasigurisë dhe krizës, në një rrëfim suksesi për kontinentin tonë. Kosova dhe Serbia medoemos duhet ta arrijnë njohjen e ndërsjellë dhe ta vijëzojnë kufirin shtetëror midis dy vendeve. Institucionet e Kosovës e kanë legjitimitetin e plotë për t’i zhvilluar këto bisedime dhe për të arritur kompromis me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar ai.
Ahmeti ka thënë se përmbyllja e kontestit midis Shkupit dhe Athinës dhe nënshkrimi i protokollit për anëtarësim në NATO janë arritje të jashtëzakonshme dhe, sipas tij, kontributi i BDI-së ka vulosur këto procese historike.
“Përmbyllja e kontestit gati tri dekada midis Shkupit dhe Athinës, por edhe arritja e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë midis Sofjes dhe Athinës, rrumbullakimi i marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe arritja e barazisë gjuhësore, firmosja e protokollit për anëtarësim në NATO si dhe data për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë arritje të jashtëzakonshme të përbashkëta, ku ne si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këto procese, jo vetëm sot, por edhe në gati dy dekadat e kaluara, kemi dhënë kontribut dhe vulën tonë mbi këto procese. Integrimi euroatlantik dhe barazia gjuhësore kanë qenë kryefjalë e veprimit tonë politik bashkë me zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit dhe ne sot ia arritëm qëllimit”, ka deklaruar Ahmeti, duke shprehur optimizëm se në këtë mandat do të fillojnë bisedimet për anëtarësim, kurse në vitin 2025 vendi mund të hyjë në BE.
Ai ka vlerësuar se BDI-ja është e përgatitur për zgjedhjet presidenciale të 21 prillit dhe, sipas Ahmetit, Maqedonisë Veriore i duhet një president i pranuar nga të gjithë.
“Jemi të gatshëm të dalim edhe vetë me kandidat, por edhe me një kandidat të dakorduar paraprakisht dhe të pranueshëm”, ka theksuar ai.
“Epoka e re”: Z. Ahmeti, Maqedonia Veriore tashmë ka nënshkruar protokollin për anëtarësim në NATO. Si e vlerësoni këtë proces dhe cili ka qenë kontributi i partive shqiptare, sidomos i BDI-së?
Ahmeti: Përmbyllja e kontestit gati tri dekada midis Shkupit dhe Athinës, por edhe arritja e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë midis Sofjes dhe Athinës, rrumbullakimi i marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe arritja e barazisë gjuhësore, firmosja e protokollit për anëtarësim në NATO si dhe data për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë arritje të jashtëzakonshme të përbashkëta ku ne si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këto procese, jo vetëm sot, por edhe në gati dy dekadat e kaluara, kemi dhënë kontribut dhe vulën tonë mbi këto procese. Integrimi euroatlantik dhe barazia gjuhësore kanë qenë kryefjalë e veprimit tonë politik bashkë me zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit dhe ne sot ia arritëm qëllimit. Kjo nuk do të arrihej dot pa mbështetjen e qytetarëve dhe miqve ndërkombëtarë të cilëve u shpreh mirënjohjen time dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim.
“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për këtë qeverisje, ku pjesë e saj është edhe partia juaj?
Ahmeti: Kjo qeverisje lindi nga një krizë e thellë sistemore, politike dhe integruese në vendin tonë. Shpesh krizat paraqesin edhe mundësi. Pikërisht ne arritëm që krizën ta shndërrojmë në mundësi dhe të mbyllim shumë tema dekadëshe në vend. Ne si parti premtuam integrim në NATO dhe bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian, barazi gjuhësore, sundim të së drejtës, zhvillim ekonomik dhe, nëse ndaleni për një çast dhe vlerësoni punët e realizuara në më pak se dy vjet qeverisje, do të vini re që shumicën dërrmuese të zotimeve tona parazgjedhore i kemi realizuar. Duhet të jemi krenarë që po i jetojmë këto ditë dhe kemi mundësinë të jemi kontribuues në këto procese historike. Por, ende kemi edhe shumë punë për të bërë dhe neve nuk na mungon as vullneti, as dija, as energjia për t’u ballafaquar me sfidat vijuese.
“Epoka e re”: Ka gjasa që ky koalicion qeverisës do të mund ta anëtarësojë vendin edhe në Bashkimin Evropian?
Ahmeti: Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian është proces kompleks që kërkon transformim shoqëror dhe reformues që zgjat një periudhë të caktuar. Besoj se në këtë mandat ne do t’i fillojmë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa uroj që anëtarësimin e plotë ta arrijmë në vitin 2025.
“Epoka e re”: Po zbatohet plotësisht Ligji për gjuhët?
Ahmeti: Barazia gjuhësore është një themel tjetër i barazisë të tërësishme të dy komuniteteve shumicë në vend dhe jam i lumtur që arritëm miratimin e këtij ligji. Miratimi i këtij ligi që rrumbullakoi pjesën normative të marrëveshjes së Ohrit është e arritur e jashtëzakonshme që më bën shumë krenar. Tashmë ka filluar zbatimi i dygjuhësisë në vend dhe vlerësoj se nga barazia nuk humbet askush, përkundrazi fiton vendi dhe qytetarët. Tashmë jemi në proces të themelimit të Agjencisë për zbatimin e gjuhës si dhe inspektoratit që rrjedhin si obligim nga ky ligj. Së shpejti do t’i shohim tabelat e institucioneve edhe në gjuhën shqipe dhe vlerësoj se të gjithë do ta respektojnë dhe zbatojnë ligjin.
“Epoka e re”: Kryetar, më 21 prill do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Sa jeni të përgatitur për këtë proces zgjedhor dhe a do të ketë BDI-ja kandidatë të vetin apo e përkrah një kandidat konsensual?
Ahmeti: Qysh nga viti 2014 ne kemi promovuar konceptin e një kandidati për president për të cilin do të merreshim vesh, të dakorduar midis dy përfaqësuesve legjitimë të dy komuniteteve shumicë, një kandidat konsensual. Jemi të gatshëm të dalim edhe vetë me kandidat, por edhe me një kandidat të dakorduar paraprakisht dhe të pranueshëm. Unë shtriva dorën e bashkëpunimit deri te partitë politike shqiptare, por me keqardhje prita refuzimin e tyre të menjëhershëm. Sidoqoftë, vendit i duhet një president i pranuar nga të gjithë qytetarët.
“Epoka e re”: Opozita ka kërkuar që së bashku me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare të parakohshme, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Pse?
Ahmeti: Puna e opozitës është që të kritikojë dhe të ofrojë zgjidhje më të mira sesa qeveria dhe normalisht ta kërkojë shansin në zgjedhje, por një opozitë e shëndoshë duhet të ketë në radhë të parë interesin e qytetarit dhe të vendit. Në një periudhë kur sapo kemi nënshkruar protokollin për anëtarësim në NATO dhe sapo ka filluar procesi i ratifikimit të këtij protokolli në parlamentet e vendeve anëtare, por edhe në kohën kur kemi për detyrë miratimin e ligjeve reformuese që ta konfirmojmë datën për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më duket e papërgjegjshme të kërkosh zgjedhje të parakohshme. Neve si parti na konvenon të kemi zgjedhje sot, por nuk mund të radhitemi në rreshtin e papërgjegjësisë së opozitës shqiptare, megjithatë ne jemi parti serioze që ndërmerr mbi supe procese të mëdha dhe nuk mund të shfaqemi oportunistë para partnerëve euro-amerikanë dhe të ardhmes.
“Epoka e re”: Z. Ahmeti, si i komentoni zhvillimet në Kosovë, përkatësisht çështjen e taksës dhe dialogun me Serbinë? Cilat janë pritjet e juaja nga ky proces?
Ahmeti: Viti 2019, me sa duket, është vit i vendimeve të mëdha dhe transformimit të tërësishëm të Evropës Juglindore, nga një vatër e pasigurisë dhe krizës, në një rrëfim suksesi për kontinentin tonë. Kosova dhe Serbia me doemos duhet ta arrijnë njohjen e ndërsjellë dhe ta vijëzojnë kufirin shtetëror midis dy vendeve. Institucionet e Kosovës e kanë legjitimitetin e plotë për t’i zhvilluar këto bisedime dhe për të arritur kompromis me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlerësoj se në 100-vjetorin e Konferencës së Versajës ne kemi për detyrë dhe obligim t’i përmirësojmë pasojat e shkaktuara nga lufta akoma e papërfunduar e Parë Botërore dhe ta integrojmë rajonin tonë aty ku përkon, në Bashkimin Evropian, në paqe, siguri dhe stabilitet dhe me perspektivë ekonomike dhe zhvillimore.
Shqipe HETEMI