Maradona, Messit: Largohu nga Kombëtarja
Diego Armando Maradona, që është në javët e para të tij si trajner i Dorados, por ai ndjek me vëmendje dhe atë që po ndodh në përfaqësuesen e Argjentinës.
Në muajin tetor skuadra “Albiceleste” do të luajë dy miqësore, njëra prej të cilave është ajo me Brazilin dhe në të dyja këto dy përballje nuk do të jetë kapiteni Lionel Messi që mungoi edhe në miqësoret e muajit shtator. El pibe De Oro foli për sulmuesin e Barcelonës, duke e shfajësuar edhe një herë për dështimin e Argjentinës në Botërorin e Rusisë. “Do të doja që Messi pas Kupës së Botës të fliste dhe t’i dërgonte të gjithë në ferr. Nuk është faji tij se nuk fituam, edhe pse i gjithë presioni ishte mbi të. E këshilloj ta lërë njëherë e mirë kombëtaren sepse nëse Argjentina humbet, është faji i tij. Për çdo gjë negative që ndodh në futbollin argjentinas, fajtor është Messi. Dua të shoh se kë do të ngarkojnë me përgjegjësi kur të mos jetë ai te Argjentina”, ka thënë Maradona.
Argjentina për momentin drejtohet nga Lionel Scaloni, por bardhekaltërve u duhet të gjejnë një trajner dhe Maradona e ka preferencën e tij. “Do të doja ta shihja Menottin si trajnerin e Argjentinës. Edhe unë do të kthehesha të punoja me të me të gjitha ekipet kombëtare. Emra si Simeone, Pochettino e Gallardo nuk do të prezantojnë një projekt të cilin e dinë që Federata nuk do ta respektojë, nuk duan të rrezikojnë atë çfarë kanë arritur në Evropë dhe nuk flas për paratë, por për lavdinë”, ka deklaruar Maradona.