Maratona e Londrës thyen rekord për të hollat e mbledhura për bamirësi
Vrapuesit e këtij viti në Maratonën e Londrës kanë mbledhur 84.21 milionë dollarë për bamirësi, duke krijuar një rekord të ri botëror në një ditë të vetme, në ngjarjen vjetore që është organizuar për herën e 12-të, transmeton Reuters.
Organizatorët kanë thënë se rekordi i ri përbën rritje të shumës së parave për afër 2 milionë dollarë më shumë, në krahasim me vitin 2017.
“Ne përshëndesim secilin vrapues që ka kontribuuar në këtë rekord të ri botëror, një shumë vërtetë e jashtëzakonshme për një ngjarje njëditore”, ka thënë drejtori i këtij organizimi, Hugh Brasher.
“Ne jemi duke punuar vazhdimisht për të rritur këtë organizim dhe ndikimin pozitiv që ka në shoqëri, shërbime shëndetësore dhe për rritje të fondeve për bamirësi”, është thënë në deklaratën e nisur nga Brasher.
Eliud Kipchoge, vrapuesi që ka thyer rekordin botëror në Maratonën e Berlinit javën e kaluar, ka fituar çmimin e tretë në Maratonën e Londrës në muajin prill, derisa Vivian Cheruiyot nga Kenia, ka fituar garën në kategorinë e grave.
Më shumë se 400,000 vrapues kanë plotësuar aplikacionin për maratonën e vitit tjetër, duke thyer kështu rekordin e vetë organizimit sa i përket numrit të pjesëmarrësve. (REL)