‘Marca’: Kosova, konkurrente befasuese në ‘Euro 2020’
E përditshmja spanjolle, “Marca”, e ka konsideruar befasuese rrugëtimin e deritanishëm të Kosovës në kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, pas fitores në Bullgari në qershor.
Tani që kanë filluar ndeshjet e radhës të Kombëtareve, të cilat në Evropë po përballen në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”, “Marca” e ka publikuar një artikull të titulluar “Situata aktuale për kualifikim në “Euro 2020”.
Në mesin e grupeve të analizuara në këtë artikull është edhe Grupi A, ku garon edhe Kosova, përballë Anglinë, Republikës Çeke, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Kosova deri më tani i ka grumbulluar pesë pikë nga tri ndeshje të zhvilluara – dy barazime dhe një fitore – duke u radhitur e treta në Grupin A, me një pikë më pak se Anglia dhe Republika Çeke.
“Anglia është duke e drejtuar grupin pas dy fitoreve bindëse nga dy ndeshjet hapëse. Kosova është bërë konkurrente befasuese, pasi fitoi si mysafire kundër Bullgarisë në qershor”, shkruan “Marca”.
“Ata do të udhëtojnë në Southampton për të luajtur kundër Anglisë të martën, pasi skuadra e Gareth Southgate të përballet fillimisht me Bullgarinë në “Wembley” të shtunën”. Edhe nëse nuk arrihet kualifikimi përmes Grupit A, Kosova do ta ketë një mundësi të dytë për t’u kualifikuar – përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale mund ta ketë kundërshtare ose Gjeorgjinë ose Bjellorusinë.
Gjatë ditëve në vijim, më 7 dhe 10 shtator, Kosova do të zhvillojë ndeshje në “Fadil Vokrri” kundër Çekisë dhe tre ditë më vonë do ta vizitojë Anglinë, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020. Përveç që në këto dy ndeshje Kosova do të përballet me Kombëtare të ranguara më mirë në renditjen e FIFA-s, “Dardanëve” do t’u mungojnë edhe pesë futbollistë të cilët zakonisht janë standardë – Arbër Zeneli, Milot Rashica, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.