
Marcelo: Raporti im me Ronaldon nisi me një përleshje
Braziliani Marcelo i vendosi së fundmi këpucët në gozhdë dhe tash është koha ideale për t’i rikthyer pas kujtimet. Ish-mbrojtësi i majtë karizmatik e ka dhënë së fundmi një intervistë për “RTVE”, përmes së cilës e ka kujtuar nisjen e raportit me ish-bashkëlojtarin e tij tek Real Madridi, Cristiano Ronaldo.
“Raporti im me Cristiano Ronaldon nisi me një përleshje në Kombëtare. Ishim duke luajtur në një miqësore mes Brazilit e Portugalisë, ndërsa i bëra shumë faulle sepse ishte shumë i shpejtë. Ai mu përgjigj me një bërryl dhe më kapi për qafe”, kujton fillimisht ish-përfaqësuesi brazilian.
“Provova edhe unë ta bëja të njëjtën gjë, por ishte shumë i gjatë… pas lojës më kanë shkruar duke më thënë se Real Madridi do ta transferonte Ronaldon pas dy muajsh. Mendova me veten: ‘Ok, më duhet të largohem nga Madridi’. Por, për fatin tim të mirë gjithçka shkoi mirë”, ka shtuar Marcelo. Në “Santiago Bernabeu”, Marcelo i fitoi 25 trofe duke luajtur për gati 16 sezone në fanellën e “Los Blancos”.
Më pas e provoi një eksperiencë në Greqi dhe në fund u rikthye në atdhe, për t’u pensionuar përfundimisht më 6 shkurt. Ai konsiderohet si njëri prej mbrojtësve të majtë më të mirë në histori të futbollit.