
Maresca e ka besimin e Chelseat
Trajneri Enzo Maresca ruan besimin e bordit drejtues të Chelseat pavarësisht nga një rënie shqetësuese në formë javët e fundit. Sipas të përditshme britanike “The Sun”, klubi nuk ka ndërmend të largojë trajnerin italian.
Javët e fundit, skuadra londineze ka humbur shkëlqimin e muajve të parë të sezonit, duke zbritur në vendin e gjashtë në renditjen e Premier Ligë. Barazimi në ndeshjen e fundit në shtëpi ndërlikoi jo pak pozitat. Që nga dhjetori, skuadra e Chelseat ka fituar vetëm 5 nga 15 ndeshjet e luajtura, por është ende në garë për një vend në katërshe. Ndërkohë që, Chelsea është pranë kualifikimit në gjysmëfinalet e Ligës së Konferencës.
Maresca erdhi në verë te londinezët, ku zuri vendin e Pochettinos. Ai ka deklaruar se klubi nuk ia ka kërkuar domosdoshmërisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve që sezonin e parë, ndaj është brenda objektivave.